OPINION

Fjala e gabuar dhe raportimi joprofesional, vret më shumë se sa vet sëmundja

 

Nga Musa Sabedini – Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të raportimeve jo profesionale, jo etike, jo njerëzore dhe jo humane rreth Koronavirusit.

 

Të raportosh për një situatë të tillë, siç është përhapja tashmë globale e Koronavirsuit, duhet të dish shumë gjëra dhe parime se si të raportojmë për këtë situatë të ndjeshme dhe gjithsesi sfiduese për mediat online në Kosovë.

 

Portalet në veçanti po bëjnë gabime fillestare, e mos të flas për ato rrjete sociale që nuk kanë as titulluar dhe nuk kanë asnjë informacion se kush qëndron prapa tyre.

 

Situatat e ndjeshme kërkojnë profesionalizëm të lartë, maturi, dije e guxim për t`u përballur me të papriturat.

 

Fatkeqësisht në Kosovë kemi shumë pak gazetarë që do të ishin në gjendje ta kryenin këtë detyrë me ndërgjegje e profesionalizëm nga tereni.

 

Zakonisht, portalet po japin lajme sipërfaqësore. Krejt koncentrimi po sillet rreth lajmit të “madh” se edhe në Kosovë u konfirmua një pacient me koronavirus.

Realisht tashmë nuk është interesante as lajmi se është diagnostifikuar pacienti i parë sepse në vendet përreth ky virus veç është i pranishëm.

 

Kah po shkojmë dhe si po sillemi karshi kësaj situate të ndjeshme?

Redaksitë e portaleve, por edhe të televizioneve, radiove e gazetave duhet urgjentisht të angazhojnë vetëm gazetarë që janë të pjekur, që kanë përvojë e njohuri mbi rrezikun që paraqet informimi i shtrembëruar apo jo i saktë.

 

Është e pafalshme që në raportimet online bëhen për shaka rastet me këtë virus, është e pashpjegueshme se si gazetarë me përvojë bëjnë cirkus dhe e zhvendosin vëmendjen ekstreme karshi këtij rreziku.

 

Koronavirusi është i pranishëm në shumicën e shteteve të botës, por Kosovës i duhet në menaxhim profesional.

 

Nuk janë vetëm gazetarët ata që do të duhej të ishin në krye të detyrës sepse këtu rëndësi jetike kanë edhe deklaratat e personave përgjegjës institucional.

 

Çka duhet të dimë dhe si të raportojmë ?

 

Puna e parë është përgatitja psikike dhe psikologjike e çdo gazetari, para se ai të dal në teren.

Mos krijo panik apo mos përhap lajme që nuk janë të verifikueshme

Raportimet e juaja duhet të jenë të balancuara dhe me mesazhe të qarta

Qëndro gjithmonë pranë burimeve të sigurta

Mos i injoro institucionet përgjegjëse dhe mos shtrembëro deklaratat e tyre

Mos vendosni tituj psikologjik dhe tituj paragjykues

Kurrë mos përdor shifra dhe prejardhjen e të infektuarve, vetëm në rastet kur ato jepen nga zyrtarët

Respekto në maksimum etikën dhe përmbaju udhëzimeve të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK)

Rri në kontakt të vazhdueshëm me qendrat spitalore më të afërta

Merr prononcime të vazhdueshme nga infektolog, epidemiolog dhe ekspert të ngjashme që japin mesazhe vetëdijësuese rreth virusit aktual

Përqendrohu tek masat mbrojtëse dhe parandaluese të Koronavirusit

Ndihmo mantelbardhët dhe ekspertët me prezantimet e tyre profesionale

Kujdesuni edhe për familjet e juaja dhe jepni këshilla kudo që ndodheni

Menaxhojeni stresin dhe euforinë se duhet me çdo kush të prodhoni lajmin e kërkuar nga redaksitë e juaja

 

Këto janë vetëm disa këshilla profesionale që mund të ju hynë në punë sepse fjala e gabuar apo raportimi jo profesional, vret më shumë se sa vet sëmundja.

……………………

Autori është ligjërues në Degën e Medias dhe Komunikimit në UB

 

You Might Also Like