Ekspozita e titulluar “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë” do të prezantohet të mërkurën më 12 Qershor,2019 në Klubin Zviceran të Shtypit në Gjenevë. Ky event kulturor është organizuar si bashkëpunim i Fondacionit “Ibrahim Kodra” dhe Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë. Ceremonia e hapjes fillon në ora 18:00 në Route de Ferney 106, 1202 Genève, “Salle de Conférence La Pastorale”. Kjo ekspozitë është rezultat i bashkëpunimit midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë dhe Fondacionit zviceran “Ibrahim Kodra”. Fondacioni “Ibrahim Kodra” u themelua në Lugano,me qëllim të transmetimit të mesazhit artistik të artistit evropian Ibrahim Kodra si instrument paqësor dhe kulturor për të bashkuar njerëz të ndryshëm. Në bashkëpunim me institucionet e Shqipërisë,Kosovës,Italisë dhe vendeve të tjera,Fondacioni mbështet dhe zhvillon projekte kulturore,shoqërore dhe edukative duke promovuar shkëmbime përvojash kulturore në mes të Zvicrës,Kosovës dhe vendeve të ndryshme të botës. Ky projekt është kombinim i pikave të ndryshme. Në qendër të këtij instalimi artistik është punimi “Qyteti i Ri” (New City) i Kodrës i rrethuar nga imazhet që dolën nga gara kombëtare për fotografinë më të suksesshme rreth trashëgimisë kulturore organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës në Prishtinë dhe nga pikturat e të rinjëve të edukuar në frymen e praktikave të qëndrueshme- me idetë e reja rreth bashkëjetesës mjedisore dhe se si e shohin ata të ardhmen në këtë botë. Këto punime u krijuan përgjatë punëtorisë “Art Ecological Project” në Muzeun Kombëtar të Kosovës në bashkëpunim me SOS Fshatrat e Fëmijëve në Kosovë,Asociacionin Kombëtar të Autizmit në Kosovë, pastaj me punimet e nxënësve të Shkollës së Artit Pamor “Adem Kastrati” në Gjilan dhe komuniteteve të ndryshme si romë,boshnjakë,serb dhe turk. Ekspozita reflekton bashkëjetesën natyrore dhe kulturore në Kosovë frymëzuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara si: Qytetet dhe Komunitetet e Qëndrueshme; Veprimi Klimatik dhe Shëndeti i Mirë dhe Mirëqenia. Prezantimi i kësaj ekspozite pikërishtë në mes të muajit qershor jo vetëm që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve (1 Qershori) dhe Ditën e Krenarisë Autiste (18 Qershori) por bazohet edhe në frymën e Ditës Botërore të Mjedisit (5 Qershori) për të inkurajuar vetëdijësimin në tërë botën dhe veprimet për të mbrojtur mjedisin tonë, si dhe për të mposhtur ndotjen e ajrit që është temë kryesore e këtij viti. Ky projekt fillimisht u quajt “Bashkëjetesa Urbanistike dhe Kulturore në Kosovë” dhe filloi rrugëtimin e tij në Palazzo Mora gjatë eventit kolateral të quajtur “Koha, Hapsira,Ekzistenca” të Bienales së Arkitekturës në Venecia 2018 duke iu falënderuar Qendrës Kulturore Evropiane dhe Fondacionit GAA. Ekspozita ishte rreth qëndrueshmërisë së arkitekturës dhe bashkëjetësës me kulturën në Kosovë. Pastaj me 16 janar 2019 ekspozita “Bashkëjetesa natyrore dhe kulturore në Kosovë” u ekspozua në Parlamentin e Strasburgut. Ky event kulturor në Strasburg u bashkë-organizua nga Z.Ilhan Kyuchyuk (Anëtar i Parlamentit Evropian) dhe Ambasada e Kosovës në Bruksel,duke iu falënderuar bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ambasadës së Kosovës në Bruksel dhe Fondacionit “Ibrahim Kodra”. Me 1 Shkurt,2019 ky projekt u prezantua në Ambasadën e Kosovës në Bern. Pastaj më 1 Qershor,2019 me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve u organizua punëtoria me titull ” Art Ecological Project” me Artistin Alex Doll në Qendrën e Arteve Ibrahim Kodra,nën patronatin e Komunës Melide. Ekspozita në Gjenevë me titull “Bashkëjetesa Natyrore dhe Kulturore në Kosovë” është realizuar duke iu falënderuar Qeverisë së Kosovës (Ministrisë së Punëve të Jashtme; Ministrisë së Kulturës,Rinisë dhe Sporti; Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor); Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë;Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe
Ambasadës së Zvicrës në Kosovë. Koncepti i këtij projekti është krijuar dhe finalizuar nga Ekipi i Fondacionit Ibrahim Ibrahim Kodra.