Futboll

Futbollistja e re gjilanase Ema Maliqi merr  ftesë  nga Përfaqësuesja e Kosovës

Futbollistja e re gjilanase Ema Maliqi, ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës U16 për të marrë pjesë në Turneun “Uefa WU16  Youth Devlopement” që do të mbahet në Shqipëri prej 10 deri më 16 mars 2024.

E lindur më 25 tetor 2009, Ema Maliqi është një futbolliste e shquar, e cila në ekipin e saj luan si mesfushore dhe shquhet në lojën me të dy këmbët, andaj menaxherit të ekipit kosovar Genc Mustafa i ka rënë në sy loja e kësaj lojtare të shkëlqyeshme, i cili edhe i ka dërguar ftesën për të luajtur për Kosovën.

Në këtë turne, Kosova do t’i zhvillojë tri ndeshje, kundër Shqipërisë, Skocisë dhe Portugalisë, kurse Ema Maliqi,  pritet që të shkëlqejë në këtë turne të  madh.

Ema përpos si lojtare e shquar, është edhe nxënëse e shkëlqyeshme në Shkollën e Mesme e UItë “Selami Hallaqi” në Gjilan.

Ajo qysh e  re ishte dashuruar me lojën e futbollit dhe  me të majtën e saj di të  bëjë magji me top. Ndryshe ajo idhull e ka babanë e saj, Arben Maliqi, i cili është një ikonë e futbollit gjilanas, që për vite të tëra ka luajtur për Dritën dhe SC Gjilanin dhe është i doktoruar pikërisht në  shkencat sportive, në futboll. Për koincidencë edhe babai i saj,  pikërisht në këtë moshë ka luajtur në përfaqësuesen e Kosovës për pionierë në vitet 80-ta. Ema  rrjedh nga një familje  sportistësh, ngase edhe e ëma e saj Florije Maliqi ishte një sportiste e shquar e Klubit të Hendbollit Drita dhe anëtare e përfaqësueses së Kosovës në Hendboll dhe që të dy prindërit e saj janë profesorë të Kulturës Fizike dhe  Sportit.

Ky është vetëm  fillimi i karrierës së kësaj futbollisteje të re, ngase  ajo shihet si e ardhmja e futbollit femëror në Kosovë dhe ftesa për të qenë pjesë e përfaqësueses  U16 ka ardhur në adresë të duhur e Ema Maliqi  me paraqitjen dhe angazhimin e saj do  t’a dëshmojë se  e ka merituar.

“Do të përpiqem që të jap maksimumin, nuk do të kursejë mund e djersë që të arsyetoj besimin që më është dhënë.  Për mua  kaherë ka qenë ëndërr që  një ditë të vesh fanellën  e Kombëtares së Kosovës dhe kjo ëndërr tashti po bëhet realitet.  Besoj në punën  time, besoj në sukses dhe në bashkëlojtaret e mia”, thotë futbollistja e re Ema Maliqi. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like