Trashëgimi

Gjen eksponate, ia dhuron Muzeut të Gjilanit

Dhjeta eksponate ia kishte dhuruar Muzeut të Gjilanit e dhjeta të tjera të gjetura së fundi ia ka dhuruar edhe tashti po këtij muzeu.

“Tash së fundi kam gjetur mbi 50 monedha, të periudhave të ndryshme, romake dhe bizantine, pastaj unaza, pulla, vula, kalanicë, fenerë e heks e gjësende të tjera dhe të gjitha këto ia kam dhuruar Muzeut të Gjilanit”, ka theksuar Abdyl Fetahu, që ka shtuar se shumicën i ka gjetur në tokë, kurse është duke mbledhur edhe nga shoqëria dhe se të gjitha eksponatet që i mbledh do t’i dorëzojë në muze.

Xhylishene Berisha, drejtoreshë e Muzeut ka theksuar se Abdyl Fetahu në vazhdimësi ka sjellë eksponate për Muzeun e Gjilanit, të gjitha të gjetura në rajonin e Anamoravës. Berisha ka theksuar se do të ishte më mirë që të dihet vendndodhja e këtyre eksponateve për të parë shtresimin  dhe për të identifikuar më mirë se cilës periudhë i përkasin ato. Kur kemi të bëjmë me numizmatikë, apo eksponate të tjera, ato do t’i nënshtrohen dorës së ekspertit dhe do të konsultohemi me arkeologët në Prishtinë dhe ata do të vlerësojnë e tregojnë se cilës periudhë i përkasin këto eksponate.

“Gjetjet të cilët janë të qeramikës e të argjilat do të ishte mirë të dihet vendi dhe shtresa ku janë gjetur, ngase edhe vetë arkeologët do të ishin më të saktë për vjetërsinë e tyre. Për çdo gjetje arkeologjike është mirë që të njoftohet Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore, apo edhe Muzeu e më pas do të njoftohen institucionet qendrore”, ka thënë Gjylishene Berisha, që ka shtuar se të gjitha këto eksponate do të ekspozohen për vizitorët e shumtë që i ka muzeu.

You Might Also Like