Gjilan, 7 korrik 2020 – Drejtoresha për Zhvillim Ekonomik në Gjilan, Valbona Tahiri, është takuar të martën me përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës, në krye me Skënder Krasniqi, kryetar i Bordit si dhe katër përfaqësues të komunitetit të bizneseve si Integj, Orange net, Vali Ranch dhe Guri sh.p.k.
Takimi kishte për qëllim identifikimin e mundësive për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Gjilanit dhe OAK.
Tahiri ka shprehur gatishmërinë e Komunës së Gjilanit për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile, përfaqësues të bizneseve që kanë për synim mbështetjen e sektorit privat.
Ajo ka prezantuar pakon e masave me lehtësirat të cilat Komuna e Gjilanit i ka ndërmarrë brenda mundësive dhe kapaciteteve që ka në mbështetje të bizneseve me qëllim të rikuperimit ekonomik, pasi shumë biznese janë ndikuar nga masat e Ministrisë së Shëndetësisë për luftimin dhe parandalimin e Covid-19.
Të pranishmit u njoftuan edhe në lidhje me hulumtimin me bizneset e Komunes se Gjilanit për vlerësimin e dëmeve në ekonomi, i cili, do të sherbejë si një instrument për koordinimin e veprimeve të Komunës si dhe bashkërendimin me nivelin qendror dhe donatorët, për tejkalimin e krizës ekonomike, e shkaktuar nga pandemia Covid-19.
Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit kanë potencuar se kanë bashkëpunim të mirë me bizneset e Komunës e Gjilanit dhe janë të interesuar të bashkëpunojnë me qëllim që të adresojnë sfidat me të cilat po përballet sektori privat dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes për t’i dhënë një kahje pozitive sektorit më të rëndësishem në vend.
Ata thanë se OAK është një mundësi e re për afaristët që të kenë bashkëpunim të sinqertë me institucione dhe të tjerët në fushën e legjislacionit përkatës, për të reaguar për problemet me të cilat përballen afaristët dhe bashkërisht, për të gjetur zgjidhje përmes bashkëpunimit me insitucionet relevante të vendit.