Gjimnastet e reja të Klubit të Gjimnastikës Halil Alidema kanë shpërthyer kufijtë vendorë dhe me plot sukses janë prezantuar edhe në Shqipëri, ku kanë dëshmuar aftësitë e tyre.
Vashat e udhëhequra nga pedagogu, punëtori i palodhshëm sportiv e trajneri Hazir Alidema, për tri ditë me radhë kanë qëndruar në Shqipëri, ku kanë zhvilluar shumë aktivitete sportive dhe tërë talentin e tyre e kanë shpalosur edhe para publikut shqiptar, që ka ngelur shumë i kënaqur me performancen e vashave tona.
Fillimisht, garueset tona kanë qëndruar në qytetin verior të Shqipërisë në Shkodër, ku bashkërisht me klubin e atjeshëm Vllaznia kanë shpalosur të gjitha bukuritë që sjell ky sport tejet atraktiv.
Në aktivitetin vijues, në qendrën e qytetit të Kavajës, Klubi i Gjimnastikës Halil Alidema pati një performansë njëorëshe dhe ku publiku kavajas për herë të parë kishte mundësi të përcjell një aktivitet të tillë dhe mbeti shumë i kënaqur. Ishte kjo arsye që Bashkia e Kavajës t’a nderojë me mirënjohje trajnerin e njohur Hazir Alidema.
Në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, Klubi ynë vuri kurora lulesh mbi varrin e atdhetarit të paepur Halil Alidema, emrin e të cilit me plot krenari e mbanë Klubi i Gjimnastikës.
Gjithsesi se një mirënjohje e veçantë për garë të madhe sportive shkon edhe për trajnerët e Vllaznisë së Shkodrës Izmir Kashi, Latif Kashi dhe Shpresa Taipi Salja nën patronatin e të cilëve është mbajtur gara.
Gjatë qëndrimit në Shkodër, garat janë zhvilluar me Klubin e Gjimnastikës Vllaznia.














