Teatër

“Ikja nga Gjermania” farsë me elemente dramatike

Në mbrëmjen e katër të Festivalit të Dramës Kombëtare “Talia e Flakës”, e cila po mbahet në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2017”, nën përkujdesjen e kryetarit Lutfi Haziri, është dhënë shfaqja “Ikja nga Gjermania”, me tekst të Ilir Ajdinit dhe regji të Kastriot Saqipit, ku kanë luajtur aktorët Brahim Basha dhe Basri Shala.

 

E veçanta e kësaj ngjarje ka qenë pjesëmarrja rekorde e publikut. Qindra artdashës kanë qëndruar në këmbë për ta përcjellë këtë shfaqje, pasi ulëset e teatrit nuk kanë qenë të mjaftueshme për të gjithë.

 

Dy emigrantë në Gjermani, njëri idealist dhe tjetri materialist janë të mbyllur në banesën e tyre kanë dy ideale, njëri për t’u kthyer në atdheun për të cilin ka sakrifikuar shumë, derisa edhe tjetri ëndërron kthimin në atdhe, por duke marrë pensionin në Gjermani dhe ka zgjedhur një formë jo të zakontë, duke e shpallë veten të vdekur. Krejt këto zhvillime përcillen me situata komike, të cilat e bënë publikun që të qeshet.

 

Pas shfaqjes, është organizuar debati i zakonshëm, në të cilin janë dhënë vlerësime pozitive për këtë shfaqje. Sadri Daku, dramaturg, ka theksuar se komeditë e tilla kërkojnë energji, ngase kjo ishte komedi situatash dhe aktorët ia dolën që të sjellin komikën.

 

Shefqet Gjocaj, ka thënë se shfaqja e ka mbajtur aktiv publikun dhe e bëri të qesh. Për aktorët ai tha se ata luajtën natyrshëm, bënë një lojë të lirë dhe të lehtë e shfaqja në tërësi funksionoi mirë. Për Orhanin, aktor nga Turqia, aktorët luajtën njëtrajtshëm, derisa Alma Poti, regjisore nga Shqipëria, tha se aktorët luajtën mirë në një dramë pa konflikt dhe ishin shumë koherent.

 

Dramaturgu Miho Gjini, ka kërkuar që të krijohen vepra të reja dhe për shfaqjen “Ikja nga Gjermania”, tha se do të ishte mirë që të luhej më afër publikut. Sipas tij thjeshtësia dhe natyrshmëria e artistit është vlerë, por ai gjithashtu ka kërkuar një të folur më të pastër.

 

Josif Papagjoni, dramaturg nga Shqipëria, tha se kjo shfaqje më shumë ishte një farsë, por që pati edhe elemente dramatike e ku u shpreh edhe problematika e tematikave.

 

“Shoqëria kosovare dhe ajo shqiptare jeton me problematikën e emigrantit. Kjo shfaqje ka mundësi që të begatohet me detaje të tjera humori”, ka thënë Josif Papagjoni, që pati vërejtje se në dramaturgjinë e sotme po përdoret skenografi minimaliste e që është e kushtëzuar me buxhetin që jepet për shfaqjet. Edhe për Agron Gërgurin, dramaturg, shfaqja u mirëprit nga publiku.

 

Në natën e pestë që është edhe fundit në kuadër të “Talia e Flakës”, do të jepet shfaqja “Askushi” e Teatrit” Aleksandër Mojsiu“ të Durrësit, me tekst të Bashkim Hoxhës e në regji të Elios Ibro.

 

Në natën e fundit do të jetë edhe shpallja e më të mirëve, sikurse që do të jetë edhe mbyllja solemne e këtij festivali.

 

You Might Also Like