Futboll

Ja kur do të zhvillohen ndeshjet Drita – Ballkani dhe Gjilani – Ballkani

FC Drita ka humbur një mundësi të mirë që t’i afrohet Ballkanit në Superligën e Kosovës në Futboll. Ballkani këtë të diele ka barazuar me Prishtinën në fushë të vet, por edhe përkundër këtij barazimi, çuditërisht Drita një ditë më parë kishte humbur në fushë të vet nga Malisheva me rezultat 1:2. Kështu, Drita në vend që t’i afrohet Ballkanit në tabelë, ka bërë edhe një hap mbrapa.

Megjithëkëtë, Drita ka mundësi që sërish të futet në garë për titull, ngase këtë të mërkurë pritet që të zhvillojë ndeshjen e mbetur me Ballkanin, kur në rast të fitores eventuale mund t’i afrohet ekipit suharekas për tri pikë.

Ballkani, për të cilin nuk do të ketë pushim, do të bëjë edhe një udhëtim tjetër të dielën në Gjilan, ku pritet që të përballet me Gjilanin, që është në nevojë të madhe për pikë, aq më parë që në ndeshjen e fundit u mposht në minutën e 95, 20 sekonda pa u mbyllur ndeshja.

Me  këtë orar të ngjeshur të ndeshjeve për Ballkanin, është ndarë shumë i pakënaqur kryetrajneri i tyre, Ilir Daja, i cili ka theksuar:

“Na i ka lënë dy ndeshjet e fundit me 20 dhe 24 dhjetor. Kur Dinamo e Zagrebit, që ka dy herë më shumë lojtarë se ne, dy ndeshje të prapambetura ia ka shtyrë për sezonin pranveror. Ne do të vazhdojmë të luftojmë. Gjithë ky mllef nuk është për rezultatet. Jemi në diferencë pikësh me të tjerët, por kam frikë dëmtimin e lojtarëve pasi ndeshje pas ndeshje na mungojnë lojtarë. Nuk ka logjikë që Ballkani të bëjë 33 javë në gjysmën e kampionatit e 22 në gjysmën e dytë. Për këtë lloj nderi që i kemi bërë futbollit të Kosovës, të mos shkatërrohen lojtarët me idenë hajt ta gjejmë Ballkanin në ditë të vështirë. Nuk do të na gjejnë kurrë në ditë të vështirë”, ka theksuar Daja.

Sipas asaj që ka paraparë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ndeshja Drita – Ballkani do të zhvillohet më 20 dhjetor, kurse ndeshja Gjilani – Ballkani do të zhvillohet më 24 dhjetor, me çka do të mbyllej stinori vjeshtor në futbollin kosovar./kryelajmi.com/.

You Might Also Like