Ishte paraparë që të jetë në tëtëmbëdhjetëshin e parë, por jo edhe në ekipin që do të nis ndeshjen, shih për këtë Liridon Leci nuk ka pranuar që sot të luaj. Për këtë ngjarje është pyetur edhe Ardijan Nuhiu, kryetrajner I Dritës, I cili pas fitores së madhe ndaj Llapit foli edhe për çështjen “Leci”, derisa sqaroi gjithë situatën e ndodhur para ndeshjes.
“Liridon Leci ka ndjerë një shqetësim në seancën e fundit stërvitore dhe sot nuk desha që ta rrezikoja duke mos e futur në formacion. Por, duke ditur egon e madhe dhe dëshirën që ka për të luajtur nuk deshi të qëndronte jashtë fushës dhe prandaj nuk ishte pjesë e 18-shes. Mirëpo, ai është një futbollist shumë i rëndësishëm për Dritën dhe ne kemi nevojë për të”, përfundoi Nuhiu.
Drita vazhdon të kryesojë kampionatin me 61 pikë, katër më shumë se përcjellësi i parë Prishtina.