Kamenicë

Karaçevasit vazhdojnë të brengosen për tokat e tyre

Udhëheqësit e Bashkësisë Lokale Karaçevë e Poshtme të Komunës së Kamenicës i kanë dërguar një shkresë krerëve të shtetit, presidentes, kryetarit të Kuvendit e kryeministrit, duke ua bërë me dije problemin  e kësaj pjese të Kosovës, që  gjendet në brezin kufitar me Serbinë. Selver Lenjani, kryetar i kësaj Bashkësie Lokale ua ka rikujtuar krerëve të vendit se që nga viti 2001 shteti serb vazhdimisht tenton të shkëput këtë pjesë të brezit kufitar që i përket Karaçevës e me këtë territorit të Kosovës. Sipas tij, në marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës më 9 qershor 1999 në dokumentet e falsifikuara serbët e kanë bindur faktorin ndërkombëtar se kjo pjesë e Kosovës i përket Serbisë, dokumente këto që janë servuar nga gjenerali serb Svetozar Marjanoviq. Sipasa këtyre hartave karaçevasit rrezikojnë t’i humbin tokat stërgjyshore edhe pse ata kanë dokumente të vlefshme që dëshmojnë se ajo tokë është e tyre, se gjithnjë tatimin e kanë paguar në komunën e Kamenicës. Lenjani thotë se për këtë duhet të njoftohen të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë dhe se kjo pjesë duhet të trajtohet si e Kosovës, e atillë çfarë ka qenë gjithmonë.

You Might Also Like