OPINION

Këmbëngulës, besnik dhe luftetar i lirisë

 Shkruan: Ismet Rashiti

 

Teksa fillova të shkruaj për dëshmorin, Ibrahim Uriqi, mu kujtua thënia e një mendimtari me famë botërore : « Kush e ka këmbënguljen ka me vete fitorën e lirisë ». E, Ibrahim Uruqi kishte këmbënguljen, trimërinë, besnikërinë dhe dashurinë e madhe  për Atdheun, ndaj nuk mund t’mos e  kishte me vete lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e vendit të tij.

 

Në fshatin antik të Kalasë së Princeshës, ku qëndresa dhe heroizmi i shqiptarëve për mbrojtjen e këtyre trojeve, u përcjell brez pas brezi, u lind, Ibrahim Uruqi nga babai Muharremi dhe nëna Mejreme. Është ky fshati kodrinoro-malor, Bresalc, i cili lindi e rriti atdhetarë të cilët në çdo kohë ditën ti dalin zot këtyre     trojeve.

 

       Dëshmori, Ibrahim Uriqi dhe prindërit, babai Muharremi dhe nëna Mejremja

Ibrahim Uruqi vjen nga një familje punëtore e atdhetare, e cila nuk u pajtua asnjëherë me pushtuesit. Edukata e mirë në familje, tradita patriotike dhe atdhedashuria, kishin bërë që Ibrahimi qyshë në bankat e shkollës fillore të formon grupin patriotik, bashk me të rinjtë tjerë. Edhe sot, pas kaq shumë vitesh, kanë ngelur të paharruara parullat e shkruara nga ky grup në rrugën Gjilan-Prishtinë. Shkrimi i këtyre parullave kishte bërë jehonë të madhe në shtypin e kontrolluar të asaj kohe, ndërkaq institucionet shtetërore dhe partiake, i kishin dënuar si « nacionaliste », « separatiste », e « armiqësore ».

Pas kryerjes së burgut, menjëherë ishte rreshtuar në radhët e UÇK-së në Zonën e Karadakut. Ky djalë trim dhe i dashur për të gjithë bashkëluftetarët, çdo herë ka qenë në vijat e para të frontit dhe aksioneve kundër forcave pushtuese serbe. « Në asnjë mënyrë nuk duhet ta lëmë të qetë armikun. Atë duhet ta godasim në çdo kohë dhe në çdo moment që sa më parë të ikë nga trojet tona », thoshte Ibrahim trimi. Pjesën më të madhe të luftimeve i ka bërë në Zhegoc dhe Marec. Ibrahim Uruqi dallohej për shpirtin e tij liridashës dhe trimërinë e pashoqe. Ndaj skishte si mos ti binte në sy forcave armike të cilat ishin përqëndruar me tërë arsenalin e tyre ushtarak, policor e propagandistik në këto anë.

Më datën 21 prill 1999, pas një përballje disaditëshe me forcat serbe, në betejën e njohur të Marecit, Ibrahim Uruqi është vrarë në fshatin Marec në lagjën e Bullajve. Sipas zëvëndëskomandantit të Zonës së Karadakut, Shemsi Syla,  Ibrahim Uruiqi – Hushi, ishte një ushtarak i lindur, një trim sypatrembur e një strateg largpamës. Bie në momentin kur po i printe kolonës, në shkëmbim të shtënave dhe të luftimeve të rrepta që u zhvilluan ato ditë në Marec.

Lajmin për rënien e Ibrahim Uriqit, familja e dëshmorit, e kishte marrë ditën e çlirimit, më 15 qershor 1999. « Me këtë rast, vëllau Agimi ka shkuar në Marec dhe e ka marrë veshë. Fillimisht është varrosur në fshatin Marec, ndërsa pas luftës, më 17 shtator 1999, me nderime të mëdha është rivarrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Gjilanit, krah bashkëluftetarëve dhe shokëve të idealit.

             Bashkëshortja e dëshmorit, Imranja dhe fëmijët Albulena  e Endriti

Dëshmori, Ibrahim Uruqi ka qenë i martuar me Imranën dhe mbrapa ka lënë vajzën, Albulenën dhe djalin Endritin të cilët tashmë janë rritur dhe janë bërë të njohur me punën dhe sjelljet e tyre shembullore. Albulena është martuar dhe jeton në Gjilan si magjistre e ekonomisë, ndërsa Endriti është student i vitit të tretë në Juridik.

I vendosur deri në frymën e fundit për çështjen kombëtare, Ibrahim Uruqi, pavarësisht burgut dhe torturave të mëdha që kishte përjetuar, thoshte me vendosmëri: « Sa shumë kohë kam humbur gjatë mbajtjes së burgut në vend që të isha me shokët në male ». Porosia e tij e fundit ishte që t’mos e lëshonin shtëpinë pa ardhur me i nxjerrë me dhunë. Për më tepër, në ato ditë të vështira kishte strehuar edhe një familje tjetër të ikur nga lufta.

Sipas ligjit, shteti i ka siguruar pensionin dhe disa lehtësira komunale familjes së dëshmorit, Ibrahim Uruqi, ndërkaq busti i është ngritur në fshatin e lindjes dhe në fshatin Marec, bashk me të gjithë emrat e dëshmorëve të skalitur në mermer për t’mos u harruar kurrë. Sot, shkolla fillore në fshatin Bresalc, me nderë dhe krenari mbanë emrin e dëshmorit, Ibrahim Uruqi-Hushi !

Jeta dhe vepra e Ibrahim Uruqit – Hushit është shembulli më i mirë se sa shumë duhet punuar e sakrifikuar për lirinë e vendit. Mbetet obligim i shoqërisë dhe brezave që të kujtohet e nderohet me respekt kjo figurë e madhe kombëtare, ky luftetarër i çlirimtarës që me gjakun e tij shkruajti historinë më të re të Kosovës së lirë dhe të pavarur.

 

You Might Also Like