Klubi i Hendbollit Drita nga Gjilani ka kaluar një ndër stinorët më të mirë të saj tash e sa kohë, kurse vetëm fati dhe lëndimet e lojtarëve e kanë larguar këtë klub nga të dalit në arenën ndërkombëtare.
Me një organizim më të mirë se në vitet e kaluara, Drita luajti rol me rëndësi në Superligën e Kosovës në Hendboll duke qenë arrë e fortë për secilin ekip që i doli përballë.
Pa dyshim se meritat pos kryesisë e trajnerëve i kanë edhe lojtarët që dhanë gjithëcka nga vetja, por që tashti në fund të kampionatit u desh që të kënaqen me vendin e pestë.
Arbër Sylejmani, portier në KH Drita, i cili është kthyer në ekip në stinorin pranveror, ngase pjesën e parë të kampionatit ishte jashtë vendit, thotë se ky kampionat ka qenë i mirë për KH Drita, por sipas tij vendi i pestë mund të konsiderohet i pamerituar, ngase Drita e ka merituar të jetë më lart në tabelë, sikurse që me më pak fat ka mundur të shkojë edhe në finale të kupës, por disa rrethana të papritura ia pamundësuan arritjen e këtyre qëllimeve.
Sylejmani përmend lëndimet e shpeshta të lojtarëve, sidomos në ndeshjet në fund të kampionatit.
“Besoj se në vitin e ardhshëm do të jemi edhe më të fortë, ngase tash janë vënë themelet e forta”, thotë Arbër Sylejmani, i cili pos meritave të trajnerëve dhe të bashkëlojtarëve, nuk lë pa e përmendur edhe emrin e të palodhshmit – kryetarit të klubit Luan Sllamniku, i cili ka bërë gjithçka që KH Drita të jetë ky ekip që është sot e pse jo që në të ardhmen të mbërrij edhe më lart.