Komiteti për Politikë dhe Financa i Komunës së Vitisë ka mbajtur mbledhjen e radhës, të cilën e ka udhëhequr kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Bekim Azizi e ku morri pjesë edhe zëvendëskryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu.
Në fillim të mbledhjes, kryesuesi Bekim Azizi ka propozuar që në rendin e ditës të përfshiheshin edhe dy pika shtesë. Ato kanë qenë propozim vendimi për miratimin e raportit të Komisionit për dëmet e shkaktuara në Komunën e Vitisë nga fatkeqësia natyrore, si dhe raporti i Drejtorisë së Arsimit për përfundimin e vitit shkollor 2025/2026 dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2026/2027.
Sipas statistikave të paraqitura në raportin e Komisionit për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësia natyrore, dëmet e evidentuara në Komunën e Vitisë vetëm në sektorin e bujqësisë kanë arritur në mbi 1 milion e 200 mijë euro. Ndër pikat kryesore të mbledhjes ka qenë edhe shqyrtimi i projektbuxhetit për vitet 2027–2029. Prezantimin e listës së projekteve investive për këtë periudhë e ka bërë drejtoresha e Financave dhe Zhvillimit Ekonomik, Milihate Ajeti. Sipas prezantimit të saj, vlera totale e projekteve investive të planifikuara për vitet 2027–2029 arrin në 3 milionë e 142 mijë e 875 euro.
Gjithashtu, në këtë mbledhje u shqyrtua edhe kërkesa për shqyrtim dhe rekomandim të propozim vendimit për vënien në shqyrtim publik të projektit për Hartat Zonale komunale të Vitisë 2026-2034, që e paraqiti Drejtoresha për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit Zyrafete Rama.
Të gjitha këto pika, si edhe ajo për shfuqizimin e Vendimit Nr.01-110/05-490, të datës 04.05.2026 për kthimin e mjeteve buxhetore në kategorinë ekonomike të investimeve kapitale, u miratuan nga anëtarët e KPF-së dhe do të procedohen për seancën e radhës së Kuvendit Komunal që do të mbahet javën e ardhshme. Gjatë mbledhjes, anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa kanë shqyrtuar edhe çështje të tjera të parapara në rendin e ditës, duke zhvilluar diskutime dhe dhënë rekomandimet përkatëse për pikat e trajtuara. Aziz Zuka


