Kush i bënte mbathjet për njerzit në të kaluarën
Një historik për kundraxhinjtë-këpuctarët e Gjilanit
I vetmi zanat që kishte jetë të gjatë në Gjilan, ishte zanati i kundraxhinjëve apo këpuctarëve të cilët sikur berberët ishin të njohur në Gjilan me tregimet e tubuara nga jeta e përditshme e Gjilanasëve.Berberët në këto tregime kishin konkurencën e fortë nga ana e kundraxhinjëve/ këpucëtarëve.Në kohërat e kaluara tek kundraxhinjtë ishte banka e pritjes, derisa këpucëtari rregullonte këpucët, myshterinjtë tregonin meselet e veta, që ishin vetëm disa copëza nga jeta shpirtërore. Në dyqanet e kundraxhinjëve shpesh ka ndodhur që qytetarët e moshuar por edhe myshterinjtë e largët qëndronin me orë duke pritur por edhe për biseda, që përcilleshin me ndonjë kafe, çaj, cigare dhe aty tregoheshin rrjedhat e qytetit, vuatjet, tregoheshin dhembjet dhe sëmundjet por edhe bëheshin hajgare dhe tregoheshin anekdota të ndryshme.
– Zeja e këpucëtarëve është zeje prodhuese mjaft e hershme dhe fillimisht punoheshin mbathjet me lëkurë në formë opingash nga lëkura lope, bualli etj., më vonë edhe llastiku, të punuara thjesht, kurse me kohë dhe sidomos merr hov para luftës së dytë botërore kur prodhimet përsoseshin, me prodhimin e këpucëve të llojeve të ndryshme, të llojit të tanishëm si për meshkuj, ashtu edhe për femra e fëmijë, bëheshin sipas porosive të klientëve. Që nga fillimi tërë proceset e prodhimit bëheshin me dorë nga mjeshtrit këpucëtarë dhe ndihmësit e tyre. Lëkurët e porositura bliheshin nga tabakët e qytetit, por edhe më larg.
Në bazë të literaturës në dispozicion, në fillim të shekullit XX, në Gjilan kishte 12 dyqane të këpucëtarëve,mirëpo numri i dyqaneve me kalimin e kohës filloi të bie. Kjo ishte pasojë e fillimit të importimit të këpucëve të prodhimeve fabrikore që nga periudha midis dy luftërave botërore e deri më sot. Kjo zeje e cila ishte edhe shpesh trashëguese, mirëpo gjithnjë e me shume është reduktuar me depërtimin e prodhimeve industriale me çmime të lira, tani kjo zejtari pothuaj se nuk ekziston, dyqanet e tyre i shndërruan në shitore për shitjen e këpucëve dhe prodhimeve tjera që zë fill edhe zhvillimi i galanterisë, në vend të tyre janë hapur shitore të specializuara të këpucëve.Sot në Gjilan kanë ngelur disa dyqane për arnimin dhe riparimin e këpucëve.
Si në qdo zeje edhe tek këpuctarët janë krijuar anekdota.
Në vazhdim një më interesantja
SAMUNI ME MAZE
Një herë dy këpuctar ishin duke ngrënë mengje (samun me mazë), vjen një fshatar dhe kur i paat duke ngrënë,lakmoi dhe i pyeti:
-Çka po hani kështu?!
-Samun me mazë!…Ado edhe ty ta bëjmë?- përgjigjen ata duke qeshur.
-Po ani more!-u thotë ai.Ata ia blejnë samunin,mirë në me të tijnë vend të mazës ia qesin dy lugëngjitës të këpucëve, e cili kishte ngjyrë të bardhë.
Fshatari me apetit qëi kishte ardhur për momentin e kishte ngrënë samunin dhe i falënderon për këtëdhe kthehet në fshat.
Mirëpo dy këpuctarët i zë meraku se mos fshatari është helmuar nga ngjitësi i këpucëve,sepse ai një kohë të gjatë nuk ishte dukur më në sheher.Pas një kohe të gjatë,fshatari sërih kihte ardhur në dyqanin e tyre, dhe që të dy edhe gëzohen edhe frikohen se si do të reagojë myshteriu i tyre nga fshati.Mirëpo qdo gjë kishte shkuar në rregull.Pasi e pyeten se si është me shëndet,i thanë se lukthin e kishte si sahati Serkisuf.
-Besa po-i thotë fshatari dhe i pyet:A keni edhe sot samun me mazë për mengjes si atë ditë?!-Që të dy mjeshtrit heshtën…
Shēnim: Kush ishin këpuctarët e Gjilanit në kohërat e hershme,ku i kishin dyqanet e tyre në Gjilan në periudha të ndryshme kohore e shumë të dhëna tjera rreth këpuctarëve mund ti mësoni nga libri “Zejtaria e Gjilanit” i cili gjendet në shitje tek libraritë “Alfabeti” tek shkolla “Thimi Mitko” dhe libraria “Abetarja” përballē shkollës Selami Hallaqi”.Në Prishtinë tek libraria “Artini-Toena” tek instituti Albanologjik.




