Volejbolli kaherë ka pasur traditë në Bresalc, sidomos në vitet nëntëdhjeta, kur ky lokalitet ishte shndërruar në mikpritës të përhershme të garave të volejbollit nën okupim. Sa e sa emra të mëdhenj të volejbollit ka dhënë Bresalci, kurse pas lufte, kur pritej që ky sport të zhvillohej edhe më shumë, sikur u shua dhe jo vetëm në Bresalc, por edhe në Gjilan, që kanë qenë vatra të volejbollit.
Këtij sporti i duhen njerëz vullnetmirë, por sikur edhe ata ishin lodhur. U bënë përpjekje për riorganizim edhe në vitet 2004 e 2005, por vështirësitë nuk kishin të ndalë, kurse vitin e kaluar u bë edhe një përpjekje për riorganizim dhe kjo doli e suksesshme, ngase KV Bresalci që në stinorin e parë e ka siguruar play-offin dhe tashti do të luftoj për t’u inkuadruar në ligën elitare të volejbollit.
Për sukseset e KV Bresalci ka shumë njerëz që janë meritorë, por duhet veçuar kryetarin e klubit Asllan Syla, Sekretarin Isak Uruqi, kryetrajnerin Blerim Shala dhe zëvëndëstrajnerët Exhevit Byqmeti, Sheraferdin Muji, delegatin e federatës Besim Syla, por edhe procesmbajtësin Edon Syla e sidomos lojtarët dhe kapitenin e ekipit Driton Muja.
Blerim Shala, trajner dhe pedagog i kulturës fizike, ia ka dalë që për një periudhë të shkurtër të komponojë një ekip të mirë, ku ka gërshetuar përvojën e lojtarëve të dikurshëm dhe elanin rinor dhe tërë dijën e tij e ka shkrirë në lojën e ekipit, me të cilin ka shënuar shtatë fitore dhe ka pësuar dy humbje, duke siguruar garat e play-offit.
Blerim Shala
“Është kënaqësi të punosh me këtë djelmosha. Ata janë shumë të përkushtuar në punën e tyre, andaj edhe sukseset nuk po mungojnë”, thotë kryetrajneri Blerim Shala, i cili ka fjalë miradije edhe për kryesinë e klubit, e cila po bënë gjithçka që është e mundur vetëm e vetëm që të krijohen kushte sa më të mira për ekipin.
Bresalci është ekip që po ngjitet në Superligë e meritorë për suksese janë të gjithë.