Mbrojtja e Dritës nuk mund të mendohet pa të, ngase ai është digë e pashpërthyeshme mu te vija e gjashtëmetërshit të portës së vet. I pakalueshëm në mbrojtje, i pandalshëm në sulm, i rrufeshëm në lojë, por i qetë në jetë e i dashur për shokët e publikun, ky është Landrit Mustafi, hendbollisti i KH Drita nga Gjilani.
Landrit Mustafi, qysh i ri ishte dashuruar në lojën e hendbollit, andaj nisi të ushtroj me zell, për të arritur deri te ekipi i parë, ku tashti është lojtar standard.
Lojërat e tija të mira i rritën sukseset e KH Drita, kurse ky lojtar i qendrës, pos që është i pakalueshëm në mbrojtje jep edhe kontributin e tij në fazën e sulmet, shpesh duke shënuar e duke e nxjerr penalti, që më pas i konkretizojnë bashkëlojtarët e tij.
Landriti, ndonëse në moshë të re, tashti ka përvojën e duhur dhe me ekipin e tij, KH Drita ka një synim të përbashkët, atë të daljes në arenën ndërkombëtare, synim që është plotësisht i realizueshëm, ngase KH Drita bashkë me Kastriotin , Prishtinën dhe Trepçën kanë vënë kandidaturën për pozitën e dytë, menjëherë pas Besës, sikurse që synim e kanë edhe Kupën e Kosovës në Hendboll.
Krejt këto lojëra të mira të Landrit Mustafit, gjithsesi se i kanë rënë në sy edhe përzgjedhësit të Kosovës, i cili e ftoi në përbërjen U20 dhe edhe aty ky lojtar perspektiv është shquar për lojërat e mira.
“E dua shumë lojën e hendbollit. E imja është të punojë shumë e pa u ndalë, ngase vetëm në këtë mënyrë mund t’i realizojë synimet e mija dhe të klubit tim”, thotë Landrit Mustafi, për të cilin fjalë të mira kanë edhe kryetrajneri Erhan Shahini dhe kryetari i klubit, Luan Sllamniku.
Mustafi ka të gjitha parakushtet për të bërë emër në hendbollin kosovar dhe atë ndërkombëtar, kurse shumë shpejt për këtë emër do të dëgjohet edhe më shumë.