Anton Nikë BERISHA
LIBËR QË E PËRLIGJ TË VËRTETËN E KOSOVËS, TRAGJEDINË DHE VIZIONIN LARGPAMËS TË RUGOVËS
(Rreth librit Ibrahim Rugova, Çështja e Kosovës. Biseda me Marie – Françoise Allain dhe Xavier Galmich. “Faik Konica”, Prishtinë 2005).
– Rugova është pjellë e një kombi, e një aspirate dhe i një qytetërimi, botës shqiptare.
Ismail Kadare
Për ta ndriçuar sa më gjerë e sa më mirëfilli gjendjen e Kosovës pasi Serbia i shoi me dhunë organet legjitime të jetës shoqërore, kulturore, arsimore dhe politike të Kosovës dhe pas kësaj përdori një dhunë të egër, shpesh terror të skajshëm mbi shqiptarët, pra, pasi i shkeli të gjitha ligjet dhe marrëveshjet që ekzistonin në nivelin e Federatës së Jugosllavisë, ku Kosova ishte pjesë përbërëse, Marie – Françoise Allain dhe Xavier Galmich e hartuan dhe e botuan një libër me biseda me Ibrahim Rugovën, të bëra në periudha të ndryshme. Qëllimi kryesor i hartuesve të librit me biseda ishte që përmes tyre të ndriçohen disa nga rrjedhat kryesore shoqërore dhe politike të Kosovës nga data 23 dhjetori e vitit 1989, kur Ibrahim Rugova u zgjodh kryetar i Lidhjes demokratike të Kosovës (partia e parë politike në Kosovë), veçmas nga 24 maji i vitit 1992 kur ai zgjedhet (përmes zgjedhjeve të lira) kryetar i Republikës së Kosovës (Rugova u zgjodh përsëri kryetar i Kosovës në vitin 1998), po dhe të hidhet dritë në strategjinë dhe politikën që zbatoi ai dhe në largpamësinë e tij si udhëheqës i Kosovës, pa asnjë dyshim, në një nga periudhat më të ndërlikuara dhe më dramatike të gjallimit të saj.
Ajo që e bën këtë libër shumëfish të rëndësishëm është se çështja e Kosovës është parë dhe është ndriçuar përmes fakteve dhe dokumenteve të shumtë, pra janë përdorur burime të natyrave të ndryshme, të organeve, të shoqatave e të institucioneve për të qenë sa më bindës dhe me realë në paraqitjen dhe shpalimin e rrethanave dhe të dramës që përjetuan shqiptarët e Kosovës në periudhën e përmendur. Në shumë raste për një ngjarje ose për një dukuri hartuesit e librit sjellin të dhëna të ndryshme, madje edhe sipas numrave (fjala vjen të viktimave ose të burgosurve). Mirëpo, duhet përmendur se herë – herë në këtë libër përdoren të dhëna dhe fakte historike nga e kaluara e Kosovës dhe e shqiptarëve në përgjithësi me qëllim të ndërlidhjes dhe vështrimit sa më thellësor e të gjithanshëm të dukurive, të dramave e të tragjedisë që përjetuan ata në trojet e tyre shekullore.
Hartuesit i shfrytëzuan sidomos mendimet dhe vlerësimet e kryetarit të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovës, i cili e barti barrën kryesore të shmangies së luftës me forcat ushtarake e paramilitare serbe, që kontrollonin dhe bënin dhunë mbi shqiptarët, sidomos të veprimit të matur e të përmbajturit të jashtëzakonshëm të tij e të gjithë popullit. Me pak fjalë, të mbijetimit, të mënyrës së përballimit të dhunës dhe të zvogëlimit të dramës së shqiptarëve në kushtet kur rreziku dhe vdekja i përcillnin shqiptarët në çdo hap.
Tri janë çështjet që peshojnë dhe ndriçohen mirëfilli në këtë libër.
E para:
Mënyra si kërkohej, punohej dhe këmbëngulej për të siguruar pavarësinë e Kosovës përmes formave demokratike, veçmas përmes dialogut dhe ndërmjetësimit të faktorit ndërkombëtar, atij evropian dhe amerikan.
E dyta:
Shmangia e konflikteve të drejtpërdrejta ushtarake, pra shmangia e luftës së hapur me Serbinë, e cila në mënyra të ndryshme u përpoq dhe synoi të nxiste konflikte të tilla nga se kishte përparësi shtetërore dhe ushtarake të jashtëzakonshme përballë Kosovës dhe shqiptarëve të saj. Rugova thoshte: “Politika është luftë pa armë, politika e keqe përfundon me armë” (f. 133).
E treta:
Në çdo mënyrë që ishte e mundur dhe nuk shkaktonte zemërim të ri tek pushtuesi (agresori) për t’i konkretizuar dhe ruajtur shqiptarët të mos shpërngulën e të mos vriten, por edhe duke iu përgjigjur kërkesave themelore të tyre në çështje të ekzistencës kombëtare. Kjo arsyetohet me të dhënën se shqiptarët janë popull i lidhur me traditën e tyre dhe që nuk jepet lehtë, që u përligj edhe në të kaluarën (shih f. 133).
Rugova përdori një strategji të veçantë, herë – herë të pabesueshme për rrethanat që vepronte, që nuk ishte thjeshtë gandizëm, siç e quanin disa, po diçka tjetër. Këtë na e thotë vetë Rugova: “Po e përsëris, nuk kemi pasur politikë paraprake, prandaj, edhe nëse më bën nder, nuk kam shumë dëshirë të flitet për rezistencë gandiste. Unë them se fjala është për një rezistencë politike, jo pasive, pra jo gandiste. Për me tepër, ne duam të mbesim afër idesë evropiane të demokracisë, qoftë edhe nëse kërkojmë zgjidhjen e problemit pa përdorimin e forcës. Pra, lufta në Kroaci dhe në Bosnjë ka krijuar logjikë të re. Logjiken e forcës” (f. 129).
Rugova intelektual ishte i bindur se asgjë nuk vjen vetvetiu, po në bazë të asaj që mendohet mirëfilli dhe të asaj që veprohet në pajtim me rrethanat dhe kushte konkrete, veprimit brenda dhunës dhe terrorit që pushtuesi ushtonte në të gjitha fushat e jetës. Këtë e theksojnë edhe hartuesit e librit se në periudhën e përmendur: “[…] popullata 90 % shqiptarë, bëhet viktimë e një terrori sistematik” (f. 33).
Pikërisht përmes synimit të krijimit të një lirie të brendshme, thekson Rugova (f. 187), është arritur që të heshtet kur duhej të heshtej për të mos e pësuar më shumë, dhe të veprohej kur ishin kushtet, qoftë edhe më të voglat për këtë. Kur të jesh në gojë të ujkut, siç thuhet, nuk ke mundësi të zgjedhësh, bën atë që mundesh. Liria e brendshme ose të jesh i vetvetes, u mbërrit përmes veprimit të përbashkët (jo nga gjunjëzimi) dhe ndërtimit të rrjedhës së jetës brenda kushteve që ishin të mundshme kur je i pushtuar. Ja si e sublimon këtë Ibrahim Rugova, kryetar i Kosovës: “Po them se sot në Kosovë shoqëria shqiptare gëzon një liri të brendshme. Të shtypur, por të organizuar. Dhe ne po fitojmë me këtë koncepcion më të gjerë – moral. Është hera e parë që e ndjejnë se kanë një pushtet, se është pushteti i tyre, janë njerëzit e tyre. Socializmi dhe komunizmi kanë mbretëruar duke e ndarë frymën. Është hera e parë që shqiptarët ndihen qytetarë, përkundër okupimit” (f. 187).
Në përgjigjet e tij Rugova nuk heziton ta shfaqë mendimin dhe vlerësimin e vet në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke e konkretizuar dhe me të dhëna e me shembuj nga ajo që ndodhte në Kosovën e pushtuar nga Serbia, që në qenësi ishte bërë “një burg i madh” ose një kamp i mirëfilltë dhune e pësimi. Është i saktë në atë që thotë dhe dëshmon se i njihte mirëfilli rrjedhat politike. Kështu, për terrorin që ushtronte Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës, po dhe të atyre të Malit të Zi dhe të Maqedonisë, ai u thotë bashkëbiseduesve, Marie – Françoise Allain dhe Xavier Galmich: “Prej vitit 1981 shqiptarët u janë shtruar ndjekjeve dhe persekutimeve të rënda. Këto tri vitet e fundit ata po pësojnë një represion të përhershëm: çdo ditë dikush keqtrajtohet, burgoset, vritet apo vdes nga torturat. Sistemi që është vendosur në Kosovë pas shuarjes së autonomisë më 1989 – 90 është pa dyshim nga më të rreptit në Evropë. Vërtet, jemi plotësisht të okupuar nga pakica serbe dhe drejtuesit e Beogradit” (f. 50). Këtë dhunë të rëndë e të ndryshme, e përligjin edhe fjalët e hartuesve të librit, të cilët qenë disa herë në Kosovë dhe e njohën gjendjen konkrete në shumë pikë: “Po gjaku që pamë buzë rrugës në Uçë, në verilindje të vendit (të Kosovës – v. ime) ishte gjak njerëzish të vrarë si kafshë. Po, nëpër gjithë vendin monumente të rrënuara, gërmadha që të bëjnë të mendosh, dëshmonin qartë për vullnetin absolut të mohimit brutal, të pamëshirshëm, të identiteteve historike, kulturore të tërë një populli […] Qysh nga mesi i viteve tetëdhjetë u përhap një ideologji e vdekjes, ndërsa Kosova ka qenë dhe ende është vetëm laborator fatkeq i saj” (f. 77).
Meqenëse qysh më 1989 shkalla e papunësisë në Kosovë arrinte 50%; mësimi në shkolla për shqiptarët ishte ndaluar; nuk punonin teatrot dhe kinematë; jeta shoqërore dhe kulturore ishte shkatërruar, Rugova thekson: “Shqiptarët janë përjashtuar nga të gjitha sferat e jetës. Në të gjitha nivelet. Mund të thuhet se kundër tyre bëhet një diskriminim total, që të mos flasim për segregacion apo aparteid. Këtu jeta është e vdekur. E paralizuar. Po përjetojmë efektet e një terrori masiv dhe të përditshëm” (f. 51).
Pikërisht përcaktimi që përmes një qëndrese aktive, pra jo gjunjëzimit dhe dorëzimit përballë pushtuesit, u ruajtën disa nga virtytet, që bëjnë një nga shtyllat e synimit dhe të strategjisë së kryetarit Rugova për mbijetesë: “Me anën e kësaj rezistence aktive të bazuar mbi jodhunën dhe solidaritetin, ne ‘jemi gjetur’. Sot ia kemi dalë të prekim këtë pikë të shpirtit të popullit shqiptar” (f. 134).
Duke e ndriçuar strategjinë e qëndresës dhe të veprimit,
pas korrikut të vitit 1993, Rugova thekson: “Me të gjitha partitë përfaqësuese të shqiptarëve të ish-Jugosllavisë, ne formuluam tri opsione: Opsioni i parë: Koso-va e pavarur, garancia për shqiptarët e Maqedonisë që të njihet si komb konstituiv i shtetit dhe vetë administrim për shqiptarët e Malit të Zi dhe të Serbisë së Jugut. Ky opsion i parë mbështetej në pandryshueshmërinë e kufijve midis republikave të ish-Jugosllavisë. Nëse këta kufij do të ndryshonin, atëherë ne kërkonim republikën që do t’i bashkonte të gjithë shqiptarët e ish-Jugosllavisë. Ky do të ishte i dyti. Opsioni i tretë: nëse kufijtë ndërkombëtar do të ndryshojnë, ne do të kërkojmë bashkimin me Shqipërinë” (f. 183).
Është e padyshimtë që, siç e pohojnë dhe hartuesit e librit, Marie – Françoise Allain dhe Xavier Galmich, formimi intelektual i Ibrahim Rugovës ishte një nga përbërësit e sensit të tij politik (f. 199), me një përcaktim dhe mishërim në kulturën perëndimore, jo vetëm në rrafshin e studimit të letërsisë. Këtë e thotë edhe ai vetë: “Megjithatë, me pëlqen karriera ime: emri im i intelektualit, ai do të mbetet, nëse mund të mbetet diçka në historinë shqiptare” (f. 218).
Pikërisht duke e pasur këtë gjë parasysh Rugova do të thotë: “[…] hyra aty (në politikë – v. ime) për të mbrojtur, për të bërë diçka, për të krijuar kushte me qëllim që populli të realizohet, jo për të bërë karrierë politike”(f. 216). Për të ishte më e rëndësishme që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe i hapur ndaj Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Pra, Rugova veproi dhe dëshmoi mirëfilli se si edhe dhuna mund të përballohej dhe të ngadhënjehej ndaj saj me durim, me qëndresë dhe me veprim të matur, të heshtur, po të vijueshëm.
Me veprimin e vet dhe me strategjinë e veçantë që e zbatoi gjatë kohës sa ishte kryetar i Lidhjes demokratike të Kosovës dhe kryetar i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova synoi ta mishëronte si parësor pavarësinë – shtetësinë e Kosovës në vizionin demokratik në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ku mund t’i jepej hapësirë secilit të dëshmohet, po dhe ta nderojë e ta përfillë gjallimin e tjetrit; të zbatohet në mënyrë afatgjate tolerimi dhe bashkëjetesa e domosdoshme që duhet të vendosej midis popujve dhe shteteve të Ballkanit , ku secili mund e duhet të zhvillohet sipas traditës, dokeve, zakoneve, kulturës së vet, urtësisë së trashëguar, pastaj sipas virtyteve, besimeve dhe pasurisë shpirtërore dhe se ndryshimet mes tyre nuk duhet të merren si çështje që ndajnë e përçajnë, po si pasuri që duhet të njihet në mënyrë të ndërsjellë dhe të shërbejë për afrimin mes tyre dhe pasurimin e jetës së njeriut, cilido qoftë ai dhe çfarë prejardhje të ketë.
Prishtinë, fillim nëntori 2026
_____________________________
Fusnota, 1
Siç thuhet pikërisht në vargjet e poezisë së Fishtës “Atdheu – Shqypnija”:
Jo, jo: sot na ktu sundojmë;
Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;
Gjall Lirin’ na nuk e lshojmë,
S’njohim mbret as krajl të huej.
Zoti n’qiell e na mbi tokë:
Me gjithkënd vllazen e shokë,
Por se i cili m’cak të vet.
ose siç thotë Ismail Kadare në Parathënien, për shumëçka të qenësishme, të shkruar me dije e përkushtim, që i prin librit:
“Përpjekjet e sotme për sllavizimin e Ballkanit janë vazhdim i përpjekjeve për sovjetizimin e tij. Kjo do të ishte fatale për qytetërimin perëndimor, i cili do të rrethohej kështu nga poshtë si në një darë. Etnikisht dhe fetarisht Ballkani duhet të mbetet ai që është sot, në atë drejtpeshim (ekuilibër) natyror që e kanë vendosur shekujt: tokë e përbashkët e grekëve, shqiptarëve, sllavëve të jugut, rumunëve dhe turqve të Evropës” (f. 32).




