KULTURA

Me ndezjen e Flakadanit u hap Manifestimi tradicional kulturor dhe sportiv “Flakadani i Karadakut 2023”

Me ndezjen solemne të flakadanit, kanë filluar sot aktivitetet në kuadër të manifestimit tradicional kulturor dhe sportiv “Flakadani i Karadakut 2023”, në komunën e Vitisë. Ndezja e flakadanit që simbolizon veprën e dëshmorit Nijazi Azemi – Komandant Mjekrra, u bë nga kryetari i komunës Sokol Haliti, i shoqëruar edhe nga babai i dëshmorit Ramush Azemi, Abdyl Bajrami nga OVL e UÇK-së si dhe Salih Mustafa ish komandant i UÇK-së.

Hapjen e këtij manifestimi, kryetari Haliti e cilësoj si një moment vërtetë emocional, pasi që sipas tij kujton shumë ngjarje historike e të lavdisë që na sjell marsi.

“Na kujton marsin e lavdisë së familjes Jashari në Prekaz, demonstratat gjithë popullore të 81-shit, e poashtu na kujton betejën e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, ku në atë betejë ra për të mos vdekur kurr, Njazi Azemi-komandant Mjekrra”, u shpreh kryetari Haliti.

Ai foli edhe për rrugëtimin 21 vjeçar të këtij manifestimi dhe për rëndësinë e tij.

“Jemi sot së bashku, që të bëjmë hapjen solemne të Manifestimit tradicional “Flakadani i Karadakut”, që këtë vit shënon 21 vjetorin e veprimtarisë kulturore, artistike e sportive.

Ky rrugëtim 21 vjeçar i veprimtarisë së Flakadanit, arriti suksesshëm të degëzohet në të gjitha trevat ku flitet shqip e të bashkoj artistët e sportistët nga të gjitha trojet shqiptare”, tha Haliti.

Ndërkaq, rreth ngjarjeve që do të zhvillohen prej 23-26 Mars ka folur drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valmir Sahiti i cili tha se “Flakadani i Karadakut”, tani më është bërë i njohur në të gjitha trevat shqiptare dhe se për tre ditë rresht komuna e Vitisë do të jetë qendër kulturore e sportive e trojave shqiptare. Ai prezantoj edhe aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtyre ditëve.

Një fjalë rasti e mbajti edhe Abdyl Bajrami nga OVL-UÇK-së në Viti, i cili tha se ky manifestim i kushtohet një ushtari besnik, i cili vazhdoj luftën edhe pas çlirimit të Kosovës. Sot, poashtu u bë edhe hapja e natës së parë të festivalit të ansambleve dhe shoqërive kulturore dhe artistike 2023 dhe atë nga ansambli shtetëror “Shota”.

Ndërkaq jashtë konkurrencës do të përformoj A.K.V “Kemajl Azizi” nga Vitia, kurse në konkurrencë në natën e parë të këtij festivali do të jenë: SH.K. A “Zëri i Luginës”-Preshevë, Q.K “Kaçaniku”-Kaçanik dhe “Valët e Liqenit”, Strugë.

Ndërkaq sipas agjendës së paraparë nesër me fillim në ora 10:00 në shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani” në Viti , do të mbahet “Ora e Madhe Letrare” kurse në ora 15:00 do të mbahet nata e dytë e festivalit të ansambleve dhe shoqërive kulturore dhe artistike.

Gjithashtu gjatë ditës së shtunë do të zhvillohen edhe garat sportive në basketboll, gjimnastikë dhe në futboll të vogël.

Kurse të dielën nga ora 10:00, do të bëhen homazhe në varrezat e dëshmorëve në Viti dhe më pas do të zhvillohen edhe garat regjionale të recituesve dhe mbrëmja e tretë (finale) e festivalit.Aziz Zuka

You Might Also Like