Trashëgimi

Mulliri i Jashar Hysës në fshatin Leshtar, komuna e Dardanës (Kamenicës) pastrohet nga bimësia

Edhe me tutje po vazhdon pastrimi i objekteve arkitekturore të cilat janë në mbrojtje të përkohshme. Pastrimi i objekteve është shtrire edhe ne komunat tjera, siç është rasti tani me objektin e mullirit të Jashar Hysës në komunën e Dardanës (Kamenicës).

Edhe pse tani i dëmtuar në masë të madhe është një mulli tipik, paksa i veçantë në këtë komunë. Duke qenë i tillë, QRTK ka bërë pastrimin rreth e përqark objektit dhe brenda tij, pasi siç shihet edhe nga fotot, ishte i mbuluar gati tërësisht me bimësi. Sikurse edhe te objektet tjera, janë larguar ferrat, drurë të ndryshëm dhe është kositur bari. Duke parë se mulliri ka nevojë për intervenim, në mënyrë që të shpëtohet ajo që ka mbetur nga dëmtimi i mëtutjeshëm, QRTK e Gjilanit ka përgatitur projektin për rindërtimin e mullirit.

*****

Në bazë të dhënave të anëtarëve të familjes, përkatësisht të Mehmet Canollit (babai i propozuesit), 62 vjeç, del se mulli i Jashar Hysës është ndërtuar diku rreth vitit 1842/1844. AI tregon se, nuk mund të jetë ndërtuar as më herët as më vonë, ngase Jashari e ka blerë tokën prej Zeqirit i cili ka vdekur më 1839. Pasi e ka blerë tokën, Jashari e ka ndërtuar mullirin brenda viteve të lartpërmendura.

Mulliri i Jashar Hysës (më vonë i Jasharevite) ka një rëndësi historike. Nga mbledhja e evidencës në familje dhe në terren, përkatësisht në Marec, Krilevë, Gllogovicë, Prapashticë, Dabishec, Stezovc, etj., mund të thuhet se së pari, mulliri i Jashar Hysës njihet si mulli ku janë mbajtur shumë mexhlise (kuvende) nga pleqtë e anës për të ndarë drejtësi e për të zgjidhur konflikte. Familjarët tregojnë se për arsye të pasurisë dhe famës së Jashar Hysës, aty janë mbledhur me kënaqësi, sepse edhe kanë pasur mundësi të hanë drekë apo darkë, pasi që Jashar Hysa ka dashur të ruajë famën e tij si pasanik dhe ka dhënë bukë për pleq, udhëtarë e miq të ndryshëm. Pra, edhe pse kanë ndarë drejtësi për të tjerët ai ka dhënë bukë duke mos e ngushtuar ndonjë fukara”. Edhe sot e kësaj dite, vendasit, si ata të Marecit po ashtu edhe të fshatrave të tjera, e përmendin faktin se mulliri i Jasharit ka qenë njëfarë shenjë e njohur në hartën kulturore, ekonomike e politike të atij rrethi. Kur themi “politike” mendojmë për marrëdhëniet mes familjeve, farefisit, lagjeve, fshatrave e jo për marrëdhënie gjeopolitike. Pra, në vete kjo histori e mullirit si lokacion kulturor, social, politik e juridik tregon për rëndësinë e tij si shenjë kujtese për banorët përreth.

Së dyti, rëndësia është edhe kujtesa shpirtërore. Pra vlera trashëgimore e këtij mulliri është në kujtesën sociale e kulturore, në kujtesën lokale të vendasve. Mulliri i Jashar Hysës nuk është vetëm mulli, gurë dhe dru, por edhe shenjë identiteti i një sërë praktikash: të jetës kanunore, të jetës ekonomike, të jetës sociale e kulturore brenda një konteksti lokal. Sot secili vendas por edhe ata që kanë migruar në qytetet përreth si Prishtina, Gjilani, Kamenica, Fushë Kosova mund të rrëfejnë tregime familjare për mullirin. Po ashtu mulliri u ka shërber atyre edhe

si orientim gjeografik. Mulliri ka shërbyer edhe si “bujtinë e zorit” për barrëtorë dhe për kalimtarë. Aty kanë mundur të flenë 2-4 persona dhe një çift/penë kije. Mulliri ka pasur mullisin apo “vodeniçarin” i cili në fillim është paguar nga Jashar Hysa të shërbejë falas për “ortakët e mullirit” e më vonë secili person ka marrë rendin e “vodeniçarit” vetë dhe ka shërbyer për të tjerët, gjithnjë falas për familjen dhe me 1/10 apo “ujemin” për të tjerët.

Së treti, ka edhe peshë nga aspekti teknik dhe ekonomik. Mulliri ka bluar 150 okë grurë në orë. Pra ka qenë një mulli i shpejtë. Gurtë e mullirit janë ndërruar disa herë e po ashtu edhe lugu i mullirit. Po ashtu thuhet se për arsye të vërshimeve mulliri është shkatërruar disa herë dhe është rindërtuar. Shkatërrimi i tij pas braktisjes më 1968 ka ndodhur pikërisht për arsye të vërshimeve. Mulliri është pranë lumit dhe po ashtu ka një jaz/vijë uji mjaft të rrëmbyeshëm.

Së katërti, ka peshë edhe turistike. Çdo vit më 10 korrik mbahen takimet e Marecit apo “Dita e Marecit” ku mblidhen qindra e ndonjëherë edhe mijëra marecas dhe të tjerë për të festuar ditën e fshatit më të madhe me sipërfaqe në Republikën e Kosovës. Këto takime mbahen pranë mullirit dhe pas restaurimit mulliri mund të jetë aset e vizituar i trashëgimisë kulturore lokale. Pranë mullirit sot gjendet edhe kroni, i cili quhet “kroni i gurit” i cli është i rregulluar dhe prej tij rrjedh uji pandërprerë për vizitorë.

Rindërtimi i fundit i mullirit është bërë me 1962 ndërsa ka dalë nga funksioni më 1968 pasi që Ahmet Canolli (79 vjeç), axha i propozuesit, nuk e ka meremetuar më si mjeshtër që ishte sepse krijoi mullirin me naftë në Marec, si zëvendësim dhe distanca gjeografike mes lagjes së Jasharevite dhe mullirit ishte mjaft e madhe. Mulliri është mjaft i dëmtuar por nëse futet në mbrojtje të përkohshme, kjo është shtytje e mirë që të bindet familja e Canollëve (Jasharevit) dhe ta kompensojë restaurimin e tij në mënyrë që të jetë destinacion kujtese, ndonëse prona mund të jetë e dikujt tjetër, ndonjë banori lokal në Leshtar. Ismet Tafili, QRTK – Gjilan.

You Might Also Like