Gjilan, 2 dhjetor 2019 – Ka nisur të hënën ndërtimi i kanalizimit dhe shtratit të lumit në fshatin Dobërçan.
Në ceremoninë e hapjes ka marrë pjesë nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe kryeshefi i Kompanisë Regjionale të Ujërave Hidromorava, Muhamet Suliqi.
Nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, theksoi se ky projekt është tejet i rëndësishëm për banorët atje, ndërkaq e ka falënderuar ministrin Matoshi për mbështetjen në këtë dhe projekte tjera.
Ministri i MMPH, Fatmir Matoshi, pohoi se ky projekt zgjidh problemin e ujërave të zeza për banorët e kësaj ane.
“Besoj dhe shpresoj që projekti do të realizohet ashtu siç është e paraparë dhe projektuar me një mbikqyrje në radhë të parë të vetë banorëve, të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, nga Komuna e Gjilanit si dhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka deklaruar Matoshi
Projekti “Rregullimi i kanalizimit dhe shtratit të lumit në Dobërçan”, financohet nga MMPH dhe kap vlerën totale prej 550 mijë euro.