Nëpër restorantet e kafiteritë tona ndodh shpesh që klientëve t’u servohen mallra që vijnë nga importi, megjithëse mallra të tilla edhe tek ne prodhohen me bollëk dhe janë me cilësi të lartë.
“Blerësi është mbret” thotë një sentencë e huaj dhe ai ka të drejtë të zgjedhë, ngase tek e fundit krejt në fund ai e paguan vet, por tek ne, mallra të huaja shërbehen pa i kërkuar askush.
Mbrojtjen e prodhimeve vendore, si çështje që kërkon zgjidhje e ka ngritur Ibrahim Krivaqa, afarist gjilanas, i cili angazhohet që produktet vendore të konsumohen më tepër se ato të huajat, ngase në këtë mënyrë jo vetëm që ngritet konsumi i tyre, por më pas kërkohet edhe më shumë prodhim, që e ka domethënien më shumë punësim e mbetje të kapitalit brenda vendit, gjë e cila gjithsesi se rrit edhe mirëqenien e qytetarëve.

Afaristi Ibrahim Krivaqa, në një postim të tijin ka ngritur pyetjen se përse në shumë hotele, restorante dhe kafiteri në Kosovë klientëve u imponohen ujëra, verëra dhe pije të importuara, ndërsa produktet vendore thuajse mungojnë krejtësisht.
Ai duke marrë shembull nga vende të tjera që këtë çështje kaherë e kanë zgjidhur merr shembull Turqinë, gjegjësisht një objekt afarist në këtë vend, Istanbul Airport Lounge, një nga lounge më të mira në botë, i cili nuk ofron asnjë pije të importuar as Coca as Pepsi apo ndonjë pije tjetër, por janë produktet turke ato që shërbehen aty.
Nga ky shembull ngritet edhe çështja se nëse ne vetë nuk i mbështesim produktet tona, kush nga të huajt do t’i mbështes ato, si mund të presim zhvillim.
“ Produktet vendore ne gastronomi duhet të jenë zgjedhja e parë, jo e fundit“, thekson me të drejtë Ibrahim Krivaqa, afarist i njohur gjilanas./kryelajmi.com/.



