Gjilan

QYTETARËT QIRAXHINJË NË PRONAT E TYRE

Në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës në Gjilan, u vendos që t’i kërkohet Qeverisë së Kosovës të heqë dorë nga ngritja e çmimit të faturave të tatimit në pronë.
Deri këtu është në rregull. Kuvendi është organi më i lartë i Komunës dhe si i tillë përfaqëson dhe mbronë interesat e qytetarëve.
Ajo që për një mendje të shëndosh dhe të pa ndikuar është e pakuptimtë, kërkesa zyrtare e partisë në pushtet për një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar edhe një herë për një çështje, për të cilën Kuvendi i Gjilanit në seancën e datës; 26.01.2023, me votë unanime të të gjitha subjekteve politike në kuvend, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të heqë dorë nga ngritja e çmimit të faturave të tatimit në pronë.
Pushteti aktual në Gjilan nuk i respekton as vendimet e veta. Udhëheq me Komunën e Gjilanit, nxjerrë vendime në Kuvendin e Komunës dhe në fund i konkuron me kërkesa nga partia që nënkupton se nuk i respekton vendimet e veta.
Ne kërkojmë që faturat e 2023-s të jenë të njëjta si ato të vitit paraprak. Pushteti qendror në vend që t’i zgjas dorën e ndihmës qytetarëve në kohën e krizës më të madhe ekonomike në vend, ai e rëndon këtë gjendje dhe kësisoj e mbytë shpresën e popullit për një dalje të shpejtë nga kriza ekonomike.
Realisht, del se këto përpjekje nuk janë asgjë tjetër pos kamuflim i pushtetit, pasi reagimi qytetarë për rritjen e tatimit në pronë ishte shumë i ashpër. Së këndejmi, çfarëdo kamuflimi e tendence populizmi nuk i mashtron më qytetarët, sepse ata vazhdimisht po e lexojnë se këtij pushteti veç gjendja sociale e tyre nuk i intereson.
Nazim Gagica, kryetar i degës së AAK-së në Gjilan

You Might Also Like