Gjilan

Rotarianët gjilanas shpërndajnë ujë të ftohtë, këshilla për kursim të ujit dhe mundësojnë ekzaminime mjekësore

Aktiviteti i radhës i Klubit Rotarian “Gjilani”, është zhvilluar sot në qendër të Gjilanit, ku rotarianët dhe rotaraktorët (të rinjtë rotarianë), kanë shpërndarë ujë të ftohtë falas si dhe kanë këshilluar qytetarët për domosdoshmërinë e kursimit dhe përdorimit racional të ujit të pijes.

Po ashtu, falë bashkëpunimit të rotarianëve dhe Qendrës Kryesore së Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan, iu është mundësuar të gjithë të interesuarve edhe ekzaminimi mjekësor falas, konkretisht matja e tensionit të gjakut.

Rotariani Lavdrim Devaja, koordinator i këtij projekti, me profesion mjek, ka thënë se sot simbolikisht kanë shpërndarë ujë të ftohtë për kalimtarë, sidomos ata më në moshë, për të përcjellë kështu edhe mesazhin e RC Gjilanit që, në veçanti të moshuarit, t’i shmangen ekspozimit në temperatura të larta, por duke e ditur se Gjilani ndodhet në një situatë emergjente sa i përket furnizimin me ujë të pijes, nga rotarianët janë përçuar mesazhe edhe mbi domosdoshmërinë e përdorimit racional dhe kursimit të ujit të pijes, deri në tejkalim të kësaj gjendje.

“Nën moton “Uji Jeta Jonë”, ekipet tona përbërë nga rotarianët dhe rotaraktorët, gjatë gjithë kohës sa do të zgjatë ky aktivitet do të shpërndajnë ujë të ftohtë dhe do të përçojnë mesazhin tonë te qytetarët për përdorimin racional të ujit të pijës. Po ashtu, në përkrahje na doli edhe QKMF-ja e cila po e ofron shërbimin e matjes së tensionit të gjakut për këdo që është i interesuar”, tha Devaja.

Ai thotë tutje se me anë të këtij projekti RC Gjilani si organizatë shërbyese, dëshiron të tregojë se rotarianët interesohen për shëndetin e qytetarit pa dallim, por edhe për mirëqenien e qytetarëve në përgjithësi, andaj i edhe kanë ndërmarrë këto veprime simbolike për të ndikuar sadopak për të mirë.

Devaja tha se gëzon fakti që qytetarët që po ndalen, qoftë për të pranuar ujin e ftohtë, apo edhe për të matur shtypjen e gjakut, po e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë këtë gjest të rotarianëve , sidomos kur sot janë temperaturat e larta dhe pak ujë për kalimtarë, sidomos për më të moshuarit, sipas tyre, ka simbolikën e një kujdesin ndaj shëndetit të një qytetari.

Si koordinator i këtij projekti, Devaja ka falënderuar së pari RC Gjilanin që e ka mbështetur idenë e tij, pastaj të gjithë rotarianët dhe rotaraktorët që po ndihmojnë jetësimin e këtij aktiviteti si dhe ata që e mundësuan, si Kompaninë DEA, për ujin e ofrua, Kompanitë ABC Design dhe SDI, për shërbimet tjera të foruara, si dhe QKMF-në, që iu ka bashkangjitur projektit me pjesën tjetër, atë të ekzaminimit mjekësor, matjen e tensionit të gjakut.

Devaja tha se aktivitetet e rotarianëve gjilanas dhe rotaraktorëve, në të mirë të komunitetit të komunës së Gjilanit, por edhe më gjerë, do të vazhdojnë, jo vetëm me simbolika, por edhe me projekte konkrete, e të prekshme, që do të ndikojnë drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

You Might Also Like