Trajneri i Gjilanit, Gentian Mezani dhe gjashtë futbollistë të kësaj skuadre kanë qëndruar në karantinë për më shumë se një javë.
E gjitha kjo pasi të lartëcekurit janë futur në Kosovë nga territori i Shqipërisë.
Pikërisht Mezani për ‘Fan Zone’ ka rrëfyer gjithë situatën e krijuar gjatë kësaj periudhe në karatinë në qendrën studentore në Prishtinë.
“Është e ekzagjeruar kjo që ndodhi, duke i hequr pavarësinë njerëzve. Është stresuese dhe e vuajtshme të mendosh që duhet të rrish i izoluar kur vjen nga një vend i pastër dhe nuk ke pasur kontakte me persona të infektuar.
Futbollistët janë më të qetë se janë në shtëpitë e tyre. Aty ishte rreziku më i madh, sepse në një kat kishte 50-60 veta. Sepse mund të vinin njerëz pozitiv që nuk ishin testuar më parë dhe mund të infektonin të tjerët. Madje kanë dalë 2-3 raste. Mendonim se vetëm do testoheshim dhe në rast se do dilnim negative do të largoheshim. Por këto ishin rregullat. Nëse unë dal negativ atëherë çfarë sensi ka të izolohem. Nuk mund t’i heqësh lirinë tjetrit pa asnjë arsye. Shqiptarët duhet të jenë më të zgjuar për këto situata. Të marrin shembull Europën jo Kinën komuniste.
3-4 ndeshjet e para do të jenë të vështira, jo vetëm për ne po për të gjitha skuadrat. Problematika është edhe se nuk do të kemi miqësore, madje kemi pasur edhe sportistë që kanë qenë të izoluar dhe nuk janë stërvitur. Një sportist që nuk është stërvitur për 2 muaj është njeri i zakonshëm, nuk është më sportist. Klubi bëri të pamundurën që ne të dilnim nga konvikti ku u karantinuam në Prishtinë, i konsumoi të gjitha energjitë. Terreni jashtë ishte shumë i mirë dhe mund të zhvillonim seanca stërvitore. E kemi bërë një kërkesë e tillë, por nuk u aprovua. Medoj që maksimumi 80% gati do jemi për rifillim. Lojtarët në izolim me mua janë pesha e skuadrës. Synojmë titullin këtë vit dhe shpresoj të bëjmë hap pozitiv në ndeshjen e parë”, është shprehur Gentjan Mezani.