Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) edhe përkundër Pandemisë COVID 19, me sukses i përmbylli aktivitetet që i ka me planprogram dhe me statut.
Shoqata “Feniks” filloi aktivitetin e përvjetshëm poetik e letrar “Flaka e Janarit”, në kuadër të së cilës u përurua Monografia e atdhetarit Mark Gashi, i autorit Rahim Azemi me titull “ Mark Gashi, veprimtaria e tij atdhetare dhe arsimore”, për të vazhduar edhe me një orë letrare, e cila ishte pjesë e aktivitetit të Flakës. Të njëjtën ditë u mbajtën edhe dy orë letrare, njëra në shkollën fillore “Prof. Ibrahim Kelmendi” në Preshevë dhe tjetra në shkollën fillore “Selami Hallaqi” në Rahovicë.
Aktivitetet vazhduan më “7 mars” për ditën e mësuesit, ku në kuadër të Karvanit të Shkrimtarëve “Feniks” i vizituam katër shkollat shqipe të komunës së Medvegjës, dhe ate: në sh.f. “Banja e Sijarinës”, Sijarinë, sh.f.” Zenel Hajdini” në Tupallë, në sh.f. “Gornja Jabllanica” në Medvegjë dhe në SHMT “Nikolla Teslla “ në Medvegjë.
Aktivitetet pushuan për një kohë të shkurtër. Në mesin e muajit qershor u përurua libri me poezi “Kthehu dallëndyshe” i autorit Elton Mehmeti, ku kishte edhe një orë letrare.
Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” më 10.10.2020, mbajti edhe Maniferstimin tradicional vjetor “Kultura na bashkon 2020”, projket ky i financuar nga Ministria e Kulturës dhe informimit e Republikës së Serbisë me tribunën letrare” Letërsia e Luginës dje dhe sot” ku me kumtesat e tyre u paraqitën shkrimtari Hysen Këqiku dhe poeti Arsim Halili.
Ky Manifestim kishte jehonë të madhe, pasiqë në të morën pjesë dhe lexuan poetë nga të gjitha trojet shqiptare. Ora letrare ishte e karakterit garues, përmes konkursit letrar, ku juria profesionale: Nexhat Rexha (kryetar), Selajdin Shabani (anëtar) dhe Arsim Halili (anëtar), pasiqë i lexuan më shumë se 48 krijime poetike vendosën për këto çmime:
Çmimi i parë, poeteshës nga Kukësi, Vera Istrefaj;
Çmimi i dytë poetit nga Gjilani, Hysen Këqiku;
Çmimi i tretë poetit nga Kumanova, Sevdail Demiri;
Çmimi special, poetit nga Presheva, Mexhid Mehmeti.
Pas këtij Manifestimi të madh poetik, Karvani i Shkrimtarëve të Luginës vazhdoi rrugëtimin e tij në shkolla të komunës së Bujanocit dhe ate në sh.f. “ Ali Bektashi” në Naslacë, në sh.f. “Sami Frashëri” në Lluçan, në sh.f.” Muharrem Kadriu” në Tërrnoc dhe në Lagjen e Strukarëve në Tërrnoc.
Më 23.10.2020, Karvani vizitoi edhe SHMT “Presheva” në Preshevë, ku mbajti orë letrare me nxënësit e drejtimit të medicinës.
Më 04.11.2020 u përurua libri me poezi “Monolog i dhembjes” i poetes Valbona Hasani, në objektin e Universitetit Internacional të Novi Pazarit-Dega në Preshevë. Pjesë e përurimit ishte edhe ora letrare ku poetët lexuan poezitë e tyre.
Më 28 nëntor 2020, u mbajt Manifestim i veçantë letrar “Nëntorët e lavdisë” me tribunën historike “Dy Nëntorët e Lavdisë”, ku me kumtesën e tij u paraqit, Mr.sc. Reshat Neziri, me titull “ROLI DHE RËNDËSIA E POLITIKËS DHE DIPLOMACISË SHQIPTARE NË REALIZIMIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË”.
Në konkursin e hapur letrar i cili ishte pjesë e këtij Manifestimi konkurruan më shumë se 20 poetë. Juria profesionale e përbërë nga : Hysen Këqiku (kryetar), Rexhep Abazi (anëtar) dhe Sevdail Hyseni (anëtar), u përcaktuan për dy çmime letrare dhe ate:
Çmimi i parë i takoi poetes Jalldëze Kasumi, ndërsa çmimi inkurajues poetes Marigona Fejzullahu.
Ky manifestim u mbështet nga komuna e Preshevës me projektin e bërë nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” Preshevë.
Krahas katër botimeve me poezi të anëtarëve të Shoqatës “Feniks” të botuara këtë vit, është botuar edhe numri i 10, jubilar i revistës “Qëndresa” e vetme letrare në nivel të Luginës së Preshevës.
Falënderime…
E falënderojmë Ministrinë e Kulturës dhe të Informimit të Republikës së Serbisë për projektin “Kultura na bashkon 2020”;
Komunën e Preshevës, për projektin “Nëntorët e lavdisë”
Dhe donatorin e revistës së vetme letrare në Luginë të Preshevës (Qëndresa), humanistin dhe atdhetarin e madh, z. Qenan Hamdiu Vlora…
Portalin “Departamenti” për ndjekjen e aktiviteteve tona.
Me këtë rast falënderoj të githë anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks”, të cilët dhanë kontributin e tyre të pakursyer për zhvillimin dhe mbajtjen gjallë të kulturës letrare të këtij nënqielli që flet shqip.
Me këtë themi se me aktivitetet e zhvilluara edhe në këtë kohë Pandemie, Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) mbetet Shoqatë lidere në Kosovë Lindore me aktivitetet e saj…
Bilall Maliqi, kryetar