Gjilan, 4 shtator 2017 – Në Komunën e Gjilanit kanë nisur vitin shkollor 2017/2018 të gjitha shkollat pa asnjë përjashtim, kanë bërë të ditur autoritetet komunale nga sektori i arsimit gjatë vizitave që kanë bërë në disa shkolla në qytet dhe fshatra.
Drejtoresha e Arsimit, Shqipe Kastrati-Haziri, ka thënë se me kohë janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë që viti shkollor të nis me kohë dhe sipas planifikimit. Si drejtori dhe me mbështetje edhe të kryetarit të Komunës së Gjilanit, janë bërë renovimet e shkollave të shumta që ato të jenë të gatshme për të nisur punën. Edhe regjistrimi i nxënësve në klasën e parë dhe të dhjetë është bërë gjithashtu në afatin kohor të përcaktuar nga Drejtoria dhe gjithçka është gati që të kemi një vit të mbarë në fushën e arsimit”, ka thënë mes tjerash drejtoresha Kastrati-Haziri.
Ajo, së bashku me stafin e DKA-së, kanë vizituar disa shkolla, ku janë uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për këtë vit shkollor, duke dëshiruar suksese dhe punë të mbarë.