ARSIMI

U pensionua mësimdhënësja Zyhrije Rifati

Sot, shënohet pensionimi i mësimdhënëses Zyhrije Rifati, e cila për 38 vite me përkushtim dhe profesionalizëm i shërbeu arsimit dhe gjuhës shqipe.
Karrierën e saj ajo e nisi në vitin 1987 në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë, ndërsa më pas vazhdoi punën edukative në shkollën fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, ku dha një kontribut të çmuar në edukimin e brezave të tërë nxënësish.
Gjatë gjithë rrugëtimit të saj profesional, ajo nuk ishte vetëm mësuese e gjuhës shqipe, por edhe edukatore e vlerave njerëzore e kombëtare.
Në periudhat më të vështira të historisë së vendit, kur arsimi në gjuhën shqipe përballej me sfida dhe presione të mëdha, ajo nuk u ndal asnjëherë. Përkundrazi, vazhdoi misionin e saj me vendosmëri dhe guxim, duke u bërë pjesë e atyre mësimdhënësve që mbajtën gjallë shkollën shqipe në kohë të vështira.
Ajo u përball edhe me presione dhe u mor në pyetje nga organet e asaj kohe, por asnjëherë nuk u tërhoq nga misioni i saj arsimor.
Si kujdestare klase, në një kohë kur emri i Republikës së Kosovës ishte simbol i shpresës dhe i qëndresës, ajo mbushi dëftesat e nxënësve me fjalët “Republika e Kosovës”. Ndoshta për dikë ishte vetëm një shkrim në letër, por për ata që e jetuan atë kohë, ishte një akt guximi dhe besimi në lirinë që do të vinte.
Me daljen e saj në pension, shprehim mirënjohje të thellë për gjithë kontributin e dhënë në arsim dhe edukim.

You Might Also Like