Viti

Përmbyllet manifestimi tradicional kulturor-sportiv “2 Korriku” në Beguncë

Në fshatin Beguncë të Vitisë është përmbyllur mbrëmë manifestimi tradicional kulturor-sportiv “2 Korriku”, i organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Vitisë, , në nder të 36-vjetorit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Manifestimi mblodhi qytetarë të shumtë, përfaqësues institucionalë, sportdashës dhe mysafirë të tjerë, të cilët përmes aktiviteteve kulturore dhe sportive nderuan këtë datë me rëndësi të veçantë historike.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mbajti një fjalë rasti, ku theksoi rëndësinë e Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut si një ndër themelet e shtetndërtimit të Kosovës. Ai vlerësoi sakrificën dhe vizionin e atyre që kontribuuan në këtë proces historik, duke theksuar se kujtesa për këtë ngjarje duhet të ruhet dhe të përcillet te brezat e rinj.
Në kuadër të manifestimit u zhvillua edhe finalja e turnirit tradicional në futboll të vogël, ku u përballën ekipet Aris Pharm dhe Bashkim Bujupi. Pas një ndeshjeje me rivalitet sportiv, fitues i turnirit u shpall ekipi Aris Pharm, të cilit iu nda kupa e kampionit.
Në përfundim të manifestimit u ndanë kupa, medalje dhe mirënjohje për ekipet dhe individët e dalluar, duke u përmbyllur me sukses edhe një edicion i këtij manifestimi tradicional, i cili çdo vit bashkon qytetarët për të nderuar historinë, promovuar sportin dhe kultivuar vlerat kombëtare.Aziz Zuka

You Might Also Like