LAJME

Gjilani miraton KAB 2027–2029 pa harmonizuar KPF-në, pavarësisht kërkesës së MAPL-së

Shkruan: Bashkim Isufi

Gjilani miraton KAB 2027–2029 pa harmonizuar KPF-në, pavarësisht kërkesës së MAPL-së

Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar Kornizën Afatmesme Buxhetore (KAB) 2027–2029, dokumentin që përcakton orientimet financiare të komunës për tre vitet e ardhshme, në një procedurë që ngre dilema mbi respektimin e procedurave të shqyrtimit paraprak institucional.

Miratimi i këtij dokumenti është bërë në një situatë kur Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF), si trupë e përhershme e Kuvendit Komunal, përgjegjëse për shqyrtimin paraprak të dokumenteve financiare dhe buxhetore, nuk ishte konstituuar në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, KPF është organ i përhershëm i Kuvendit Komunal që shqyrton paraprakisht dokumentet financiare dhe buxhetore përpara miratimit të tyre në Kuvend. Ky mekanizëm përbën një element thelbësor të kontrollit institucional, me qëllim garantimin e transparencës, ligjshmërisë dhe vendimmarrjes së mirëinformuar në nivel komunal.

Neni 52.2 i Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale përcakton se Komiteti për Politikë dhe Financa është përgjegjës për shqyrtimin e të gjitha politikave, dokumenteve fiskale dhe financiare, planeve dhe iniciativave, duke përfshirë dokumentet e planifikimit strategjik, Kornizën vjetore buxhetore afatmesme, planin vjetor të prokurimit, rregulloren vjetore për tatimet, tarifat dhe pagesat, planin vjetor të punës për auditimin e brendshëm, buxhetin vjetor afatmesëm dhe çdo ndryshim të buxhetit gjatë vitit fiskal si dhe për marrjen e raporteve nga kryetari dhe dorëzimin e rekomandimeve në kuvendin e komunës.

Megjithatë, në rastin e Gjilanit, funksionimi i Komitetit për Politikë dhe Financa është vënë në pikëpyetje, pasi Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në ushtrimin e kompetencës së saj për mbikëqyrjen e ligjshmërisë së akteve komunale, ka vlerësuar se Vendimi Nr. 01/016-15272/26 për emërimin e anëtarëve të këtij komiteti nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Sipas MAPL-së, përbërja e Komitetit për Politikë dhe Financa nuk përmbush kërkesat e Ligjit për Barazi Gjinore sa i përket përfaqësimit të barabartë gjinor. Për këtë arsye, Ministria i ka adresuar një shkresë zyrtare kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, dhe kryesueses së Kuvendit Komunal, Krenare Latifi-Kqiku, duke kërkuar rishqyrtimin dhe harmonizimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të këtij komiteti me dispozitat ligjore në fuqi.
Në shkresën e saj, Ministria vlerëson se vendimi në fjalë nuk është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi, duke arsyetuar se përbërja e Komitetit nuk përmbush kërkesat ligjore për përfaqësim gjinor. Po ashtu, në këtë shkresë jepen sqarime të detajuara mbi arsyet e mospajtueshmërisë së aktit me legjislacionin në fuqi dhe kërkohet harmonizimi i tij përmes procedurës së rishqyrtimit.

Më tej theksohet se Vendimi 01 Nr. 016-15272/26 për caktimin e anëtarëve në Komitetin për Politikë dhe Financa të Kuvendit të Komunës së Gjilanit, është në kundërshtim me nenin 6, paragrafi 7 dhe 8 të Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, i cili përcakton se: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfshirjen e njëjtë në pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji. Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësimi minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”.

Po ashtu është në kundërshtim me nenin 5, paragrafi 3 të Udhëzimit Administrativ (MPL) Nr. 05/2020 për Procedurën e Themelimit, Përbërjen dhe Kompetencat e Komiteteve të Përhershme dhe Komiteteve tjera në Komunë që përcakton se: Komiteti për politikë dhe financa duhet të reflektojë barazinë gjinore në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Sipas Qarkores Buxhetore 2027/01 të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Kuvendi Komunal ishte i obliguar ta miratonte Kornizën Afatmesme Buxhetore deri më 30 qershor, afat ky i përcaktuar për komunat dhe nivelet e tjera të qeverisjes lokale. Respektimi i afatit të 30 qershorit për miratimin e Kornizës Afatmesme Buxhetore nuk e zëvendëson detyrimin për respektimin e procedurave të parapara ligjore, përfshirë shqyrtimin paraprak nga Komiteti për Politikë dhe Financa si trupë punuese e Kuvendit Komunal.

Në shumicën e komunave në Kosovë, Korniza Afatmesme Buxhetore shqyrtohet fillimisht në Komitetin për Politikë dhe Financa (KPF), i cili, pas shqyrtimit, i paraqet Kuvendit Komunal rekomandimet përkatëse për miratim. Kjo procedurë zbatohet rregullisht edhe në komuna si Prizreni, Ferizaj, Kamenica dhe Vitia, ku dokumentet buxhetore dhe aktet me ndikim financiar kalojnë paraprakisht përmes KPF-së përpara se të procedohen në Kuvend.

E njëjta procedurë është ndjekur edhe në Komunën e Gjilanit në proceset e mëhershme të miratimit të dokumenteve buxhetore.

Megjithëse Komuna e Gjilanit ka pranuar kërkesën për rishqyrtim nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, brenda afatit ligjor prej 30 ditësh nuk është bërë rishqyrtimi dhe harmonizimi i vendimit me legjislacionin në fuqi. Çështja është proceduar dhe është përfshirë në rendin e ditës në dy mbledhje të Kuvendit Komunal, por në të dy rastet është shtyrë shqyrtimi për mbledhjet pasuese. Pavarësisht kësaj, kërkesa e paraqitur në shkresë ka mbetur e pazbatuar për më shumë se dy muaj.

Përkundër kësaj, në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Gjilanit është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore 2027–2029, ndonëse Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ishte emëruar, por përbërja e tij ishte vlerësuar nga MAPL si e papajtueshme me legjislacionin në fuqi, ndërsa vendimi për emërimin e anëtarëve të tij ishte ende objekt i kërkesës për rishqyrtim.

Komuna e Gjilanit nuk ka bërë publik ndonjë njoftim, komunikatë apo informacion zyrtar nga i cili do të rezultonte se Korniza Afatmesme Buxhetore 2027–2029 është shqyrtuar paraprakisht nga Komiteti për Politikë dhe Financa, në përputhje me procedurën e paraparë në legjislacionin në fuqi.

Kjo situatë vë në pah rëndësinë e funksionimit të rregullt të mekanizmave të kontrollit institucional në nivel komunal. Komiteti për Politikë dhe Financa përbën mekanizmin kryesor institucional për shqyrtimin paraprak të dokumenteve me ndikim financiar, ndërsa funksionimi i tij në përputhje me kërkesat ligjore është një garanci për transparencë, ligjshmëri dhe vendimmarrje të mirëinformuar.

Në këto rrethana, miratimi i Kornizës Afatmesme Buxhetore 2027–2029 ngre pikëpyetje lidhur me respektimin e procedurave të parapara për shqyrtimin paraprak të dokumenteve buxhetore. Duke qenë se vendimi për përbërjen e KPF-së mbeti objekt i kërkesës për rishqyrtim dhe nuk është bërë publik ndonjë informacion zyrtar që dëshmon se KAB-ja është shqyrtuar paraprakisht nga ky komitet, mbetet e paqartë nëse janë përmbushur të gjitha kërkesat procedurale të parashikuara me legjislacionin në fuqi.

You Might Also Like