KULTURA

Përmbyllet me sukses edicioni i parë i LAND FILM LAB 2026 në Kamenicë

Me një program të pasur me filma, ide, punë kreative, mentorim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, në Kamenicë u përmbyll edicioni i parë i LAND FILM LAB – Film Residency & Industry Networking 2026, një iniciativë që solli në qendër të vëmendjes potencialin e jashtëzakonshëm të kinematografisë dhe peizazhit kulturor të kësaj treve.
Gjatë pesë ditëve, pjesëmarrës nga vende të ndryshme u bënë pjesë e një programi intensiv, ku puna në projekte filmike u ndërthur me eksplorimin e natyrës, historisë dhe kulturës së Roganës dhe Kamenicës. Ky edicion filmik u konceptua si një hapësirë ku idetë mund të zhvillohen, bashkëpunimet të marrin formë dhe projektet e reja të afrohen më shumë me realizimin.
Një pjesë e rëndësishme e programit ishte “Meet the Filmmakers”, ku publiku pati mundësinë të njihej me krijimtarinë dhe botën e filmave të autorëve pjesëmarrës. Gjatë mbrëmjeve u shfaqën filmat “Pesë stinët e fëmijërisë sime”, “Ditë e kuqe”, “Më fal”, “Rruga” dhe “Erë”, duke sjellë para publikut histori, emocione dhe rrëfime të ndryshme filmike.
Programi u pasurua edhe me diskutime, këshilla dhe përvoja të ndara nga profesionistë të fushës, duke u ofruar pjesëmarrësve perspektiva të reja mbi mënyrën se si një ide mund të zhvillohet dhe të shndërrohet në një histori që komunikon me publikun.
Në kuadër të programit, pjesëmarrësit punuan gjithashtu mbi zhvillimin e projekteve të tyre, të cilat u prezantuan në një Pitch Final përpara jurisë dhe profesionistëve të industrisë së filmit. Juria, e përbërë nga Mirjeta Baraliu, Esat Fejza dhe Bardhyl Bejta, vlerësoi projektet dhe kontributin e pjesëmarrësve.
Edicioni i parë i LAND FILM LAB u përmbyll me një mbrëmje të veçantë në Krenidell, ku u vlerësuan projektet më të spikatura të këtij edicioni.
Çmimi për Skenarin më të Mirë, në vlerë prej 1,500 euro, iu nda Odeta Cunajt për projektin “18th Birthday”. Ky çmim mbështetet nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK).
Ndërsa Co-Production Award, në vlerë prej 20,000 euro në shërbime profesionale për realizimin e filmit, iu nda Hussen Ibraheem për projektin “Mind is cedar”.
Çmimi i dytë përfshin një paketë të rëndësishme shërbimesh profesionale për prodhimin e filmit, ndër të cilat:
Korrigjimi i ngjyrave (Color Grading) – In My Country Post Production, Kosovë;
Drejtori i Fotografisë (DoP) – Blerim Gjinovci, Kosovë;
Montazhi – Marta Ossowska, Poloni;
Dizajni i zërit, prodhimi muzikor dhe postproduksioni audio – Ridvan Murtezi, Kosovë.
Këto çmime përfaqësojnë një mbështetje të drejtpërdrejtë për kineastët dhe u japin projekteve fituese mundësi konkrete për të vijuar rrugëtimin drejt realizimit.
Por nata përmbyllëse nuk ishte vetëm një ceremoni çmimesh. Ajo ishte një moment për të festuar idetë, punën, miqësitë dhe bashkëpunimet e krijuara gjatë pesë ditëve të LAND FILM LAB. Përmes këtij edicioni, Kamenica dëshmoi edhe një herë se hapësirat lokale, natyra, historia dhe komuniteti mund të shndërrohen në terren frymëzues për krijimtari dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Komuna e Kamenicës e përshëndet përmbylljen e suksesshme të edicionit të parë të LAND FILM LAB dhe vlerëson të gjithë organizatorët, kineastët, mentorët, jurinë, partnerët, mbështetësit dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor.
LAND FILM LAB e mbylli edicionin e parë me një premtim të qartë: që Kamenica të vazhdojë të jetë hapësirë ku historitë jo vetëm tregohen, por edhe fillojnë të marrin jetë.

You Might Also Like