Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për rritjen e sigurisë dhe vetëdijesimit te të rinjtë, zyrtarë nga Zyra për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, në bashkëpunim me zyrtarë të Njësitit të Komunitetit të Stacionit Policor në Gjilan, kanë mbajtur një ligjëratë vetëdijësuese me nxënësit e klasave të VIII-ta dhe IX-ta të shkollë së mesme të ulët “Mulla Idris Gjilani” të fshatin Velekincë, komuna e Gjilanit.
Gjatë ligjëratës janë trajtuar tema me rëndësi për sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve përfshirë pasojat e përdorimit të substancave narkotike, bullizmin dhe dhunën psikologjike e fizike si dhe rreziqet që ndërlidhen me përdorimin e papërshtatshëm të internetit.
Në bashkëbisedimin me nxënësit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Policisë, mësimdhënësve, stafit arsimor dhe vetë të nxënësve me qëllim të identifikimit, parandalimit dhe raportimit me kohë të dukurive negative. Po ashtu u theksua se angazhimi i përbashkët është thelbësor për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan do të vazhdojë aktivitetet vetëdijësuese dhe parandaluese në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe komunitetin me synim rritjen e sigurisë, fuqizimin e partneritetit me të rinjtë dhe parandalimin e dukurive negative në shoqëri.





