Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”, mbajti debatin e dytë me temën “Ndikimi i investimeve të diasporës në zhvillimin socio-ekonomik ”
Qëllimi i organizimit të këtij debati ishte krijimi i një hapësirë të hapur dhe gjithëpërfshirëse për diskutim ndërmjet bizneseve lokale, përfaqësuesve të diasporës dhe institucioneve komunale, me fokus rolin dhe ndikimin e investimeve të diasporës në zhvillimin socio-ekonomik të Komunës së Kamenicës.
Gjatë debatit u diskutua për rëndësinë e diasporës si një potencial i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik lokal, krijimin e vendeve të reja të punës, mbështetjen e bizneseve dhe përfshirjen e kapitalit, përvojës dhe njohurive të bashkatdhetarëve në zhvillimin e Komunës së Kamenicës.
Në diskutim u theksua nevoja për krijimin e kushteve më të favorshme për investitorët nga diaspora, përmirësimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve komunale, bizneseve lokale dhe diasporës, si dhe promovimin e mundësive konkrete për investime në komunë.
Ndër rekomandimet kryesore të dala nga debati u veçuan: Krijimi i një mekanizmi të qëndrueshëm komunikimi ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe përfaqësuesve të diasporës, Promovimi më i madh i potencialeve ekonomike dhe mundësive për investime, Hartimi dhe promovimi i një liste me sektorët dhe fushat ku ekzistojnë mundësi konkrete për investime, Nxitja e investimeve të diasporës në sektorë që kanë potencial për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, Funksionalizimi i Qendrës për përkrahjen dhe mbështetje të bizneseve..
Në këtë debat morën pjesë: Përfaqësues të drejtorive komunale, përfaqësues të bizneseve lokale, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, si dhe përfaqësues të mediave lokale.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal





