Në një ceremoni solemne që u zhvillua sot në hapësirat e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë së UP-së, është përuruar ferma didaktike që do t’u ofrojë punë praktike studentëve të këtij fakulteti dhe bashkëpunim fermerëve kosovarë dhe sektorit të industrisë së produkteve bujqësore.
Ferma e financuar dhe ndërtuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në kuadër të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, nëpërmjet programit Menaxhimi i Integruar i Resurseve Ujore, një nisme të përbashkët me Qeverinë e Kosovës, u përurua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, përfaqësuesja e SDC-së, znj. Ardiana Efendiu-Zhuri dhe dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, prof. Arben Musliu.
Në fjalën përshëndetëse para të pranishmëve, rektori, prof. Arben Hajrullahu, tha se ferma e përuruar do ta lidhë teorinë me praktikën. Ai konstatoi se njëra nga fushat me potencial të madh zhvillimi në Kosovë për universitetin, vendin dhe shoqërinë është pikërisht fusha e bujqësisë dhe veterinarisë. Pas mjaltit me logon e UP-së të nxjerrë nga kosheret e UP-së, rektori paralajmëroi se së shpejti në një të ardhme pret edhe djathë dhe produkte të qumështit si dhe verëra e pije të tjera me këtë logo.
Zyrtarja e lartë për ujërat dhe rezistencën ndaj ndryshimeve klimatike në SDC Kosovë, Ardiana Efendiu-Zhuri, tha se ferma do të shërbejë si një laborator praktik për studentët, një platformë për kërkime të aplikuara dhe një hapësirë për demonstrim të praktikave moderne në bujqësinë dhe blegtorinë e së ardhmes.
Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, prof. Arben Musliu, duke falënderuar SDC-në për investimin dhe partneritetin, tha se përveç mësimit dhe kërkimit shkencor, Ferma Didaktike dhe Eksperimentale e Kafshëve në FBV do të shërbejë edhe si qendër e trajnimit për fermerët e qumështit në Kosovë.
Në fermën e tipit të hapur, të ndërtuar me standardet më të larta evropiane, do të strehohen kafshët shtëpiake që ka ky fakultet, derisa studentët do të kenë mundësi të shohin nga afër dhe të mësojnë për të gjitha proceset e blegtorisë, produktet e qumështit dhe kujdesin e mirëqenien e kafshëve.
Ferma e re didaktike bashkë me objektin e ri të FBV-së që pas largimit të largpërçuesit ndërkombëtar të tensionit të lartë, do të shfrytëzohen për nevojat e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, janë një triumf i dijes dhe shkencës përballë tendencave për tjetërsim të pronës universitare.





