Arcus Security, kompani e specializuar në fushën e sigurisë kibernetike, me bazë në Prishtinë, në Gjimnazin Natyror ,,Xhavit Ahmeti’’ në Gjilan ka mbajtur një sesion informues të Kosovo Cyber Talent Initiative (KCTI) në të cilin kanë marrë pjesë mbi 30 nxënës maturantë nga të gjitha paralelet e klasave të dymbëdhjeta.
KCTI është zbatuar nga Arcus Security dhe AAB College, në kuadër të Advanced Balkan Cyber Programe (ABCP), të financuar nga FCDO e Mbretërisë së Bashkuar.
Nga ligjërues të Arcus Security është thënë se ky program është një nismë kombëtare që synon të identifikojë dhe të mbështes të rinjtë me interes dhe potencial për zhvillim në fushën e sigurisë kibernetike. Ai foli për mundësitë që kanë të rinjtë për të aplikuar në këtë program, që kalon nëpër disa faza me mundësi të mëdha për zhvillim të mëtejmë në këtë fushë.
Ligjëruesi i ka njohur nxënësit për KCTI-në dhe procesin e aplikimit, procesin e vlerësimit dhe të potencialit si dhe mundësitë e zhvillimit dhe karrierës në sigurinë e kibernetikës.

Një profil i tillë sot është shumë i kërkuar si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, andaj nxënësit maturantë janë ftuar që të aplikojnë, të përfshihen në trajnim të specializuar, në praktikën profesionale dhe zhvillim të mëtejmë.
Ndryshe, Siguria kibernetike është praktika e mbrojtjes së sistemeve, rrjeteve, pajisjeve elektronike dhe të dhënave nga sulmet keqdashëse digjitale. Ajo është bërë një shtyllë kryesore për funksionimin e sigurt të individëve, bizneseve dhe shteteve.

Në ligjëratë u fol për Konfidencialitetin, Integritetin e Disponueshmërinë, për rreziqet dhe kërcënimet më të shpeshta dhe aspekte të tjera të kësaj natyre.
Nxënësit e pranishëm kanë shprehur interesim të shtuar për të qenë pjesë e këtij aplikimi, duke e cilësuar këtë ligjëratë si tejet të dobishme, ngase në orientimin për karrierë, në Gjimnazin Natyror ,,Xhavit Ahmeti’’ shumë nxënës synim e kanë studimin në shkencat kompjuterike dhe të energjisë kompjuterike./kryelajmi.com/.





