Gentian Mezani, ish trajner i Gjilanit është emër i ri te Drenica. Këtë e ka bërë të ditur klubi kuq e zi nga Skënderaj, që ka njoftuar për angazhimin e Gentrian Mezani, i cili ka zënë vendin bosh të lënë nga Jeton Mehmeti, kryetrajner i deridjeshëm.
Gentian Mezani, kishte udhëhequr Gjilanin në stinorin 2019/2020 kur ekipin kuq e bardhë e kishte dërguar në garat evropiane, pasi që e kishte ranguar në vendin e dytë me 68 pikë, aq sa kishte edhe Drita që doli e para dhe që titullin kampion e mori falë ndeshjeve të ndërsjella ku ekipi bardh e kaltër ishte më i mirë.
Gentian Mezani ishte dorëhequr nga Gjilani më 29 nëntor 2020 dhe ishte rikthyer në vitin 2023, në kohën kur SC Gjilani po kalonte periudhën më të vështirë, ngase kampionatin e kishte nisur me lojtarë junior dhe në fund ia kishte dalë t’i shpëtonte rënies nga elita e futbollit Kosovar.
Gentian Mezani kaloi te Drenica pas një periudhe jo të mirë të Drenicës, e cila javëve të fundit nuk pati rezultate të mira dhe për momentin gjendet në pozitën e tetë me 11 pikë të tubuara, pozitë e cila ekipin e dërgon në ndeshjen e barazhit në fund të kampionatit. /kryelajmi.com/.




