Kush ishin gjyqtarët e parë të futbollit në Gjilan pas pavarësimit të sportit në vitin 1991 dhe si u themelua SHGJFK?
Shumë klube, trajnerë e futbollistë i thanë “jo” regjimit serb për t’i vazhduar garat nën sundimin e tyre në vitin 1991. Njëashtu, edhe gjyqtarët e futbollit anëkënd Kosovës i thanë “jo” pushtetit okupues serb.
Gjyqtarët kosovarë formuan Këshillin Iniciativ për themelimin e kësaj shoqate më 9 shtator 1991, në Lagjen e Muhaxhirëve në Prishtinë. Kryetar i këtij këshilli u emërua Ismajl Kosumi, ndërsa u përzgjodh Kryesia e parë me këtë përbërje:
Shinasi Berisha – Kryetar
Ramadan Hoxha – Nënkryetar
Skender Selmani – Nënkryetar
Hadi Mehmeti – Sekretar
Anëtarë të kryesisë ishin: Shinasi Berisha, Ismajl Kosumi, Ismet Shurdhani, Jahja Hashani, Skender Hoxha (nga Gjilani), Abdulla Syla (nga Gjilani), Skender Selmani, Gani Gjakaj, Muhedin Dujaku, Arsim Spahiu, Ramadan Hoxha, Ejup Jakupi, Shyqeri Gashi dhe Fuat Kryeziu.

Të gjithë këta gjyqtarë ndanë drejtësinë pa kurrfarë kompensimi financiar. Ndonëse ishin viktima të maltretimeve dhe dhunës serbe, ata në asnjë moment nuk u zmbrapsën.

Po ashtu, edhe Regjioni i Gjilanit në këto kohëra të vështira, por të lavdishme, dha një kontribut të pamohueshëm drejt pavarësimit të futbollit të Kosovës, duke i bashkangjitur nëntë gjyqtarë shumë kualitativë. Kryetar i tyre ishte Skender Hoxha, i cili tash e 35 vite është kryetar i gjyqtarëve të Regjionit të Gjilanit (duke munguar vetëm nga 4 muaj në dy periudha të ndryshme).

Gjyqtarët nga Gjilani, të cilët ndanë drejtësinë në ato kushte të vështira, ishin:
Skender Hoxha
Sabri Dermaku
Adem Kryeziu
Menon Ibrahimi (i ndjerë)
Zija Haziri
Ramadan Bunjaku
Bektesh Haziri (i ndjerë)
Malazog Hoxha
Nexhmedin Bunjaku

Edhe gjyqtarët gjilanas, ashtu si ata mbarë kosovarë, shumë herë u përballën me policinë serbe, ku u rrahën e u maltretuan. Por, idealin e tyre drejt pavarësimit të futbollit dhe shtetit të Kosovës nuk e ndalën as tytat e armikut./Sylejman Ismajli – kryelajmi.com/




