Gjilan

Haziri: Gjimnazi i shkencave natyrore të jetë gjithmonë krenarë me emrin e Xhavit Ahmetit

Gjilan, 25 tetor 2017 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka marrë pjesë në shënimin e festës së Gjimnazit natyror dhe ditëlindjes së “Xhavit Ahmetit” emrin e të cilit e mbanë ky institucion, që sot iu ka shtuar edhe salla sportive me standarte të larta e modern, që kap vlerën prej 440 mijë euro.

“Emri i “Xhavit Ahmetit”, na bënë krenar përherë, sepse ai ishte dhe mbetet shembull i madh i një profesori, studiuesi dhe udhrrëfyesi, se si duhet të ecet përpara me arsim dhe shkencë. Gjeneratat e asaj kohe, ne nxënësit e tij, kolegët, familja dhe të afërmit e tij, ishim përherë të bazuar në veprën dhe përkushtimin e tij të jashtzakonshëm për punë, shkencë dhe dije. Ai për neve ishtë një njeri i shembullit të mirë që duhet ndjekur gjithnjë”, ka thënë kryetari Haziri në hapje të fjalës së tij.

Kryetari Haziri ka kujtuar Xhavit Ahmetin edhe si profesor, si ministër të arsimit, por edhe si njeri që është marrë me arsimim deri në ndarjen e tij nga jeta.

“Xhavit Ahmeti, në kushte shumë të rënda, ka kryer me nderë dhe përgjegjësi të lartë detyrën e këshilltarit të presidentit, vendosjes së rendit dhe rregullit në arsim, kurrikulës,  etj”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai gjithashtu ka falënderuar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle, që në Gjilan, kjo ditëlindje e shkollës po shënohet me suksese të arritura dhe synime shumë të mëdha për të ardhmen.

“Ndjehem shumë krenar me sukseset që nxënësit dhe mësimdhënësit shënojnë kudo që ata prezantojnë Komunën e Gjilanit. Ne edhe më tutje e kemi prioritetin e parë të qeverisjes arsimin, infrastrukturën nëpër shkolla dhe cilësinë në arsim.  Kampusi i shkollave të mësme, investimi i stadiumit dhe projekte të tjera në këtë zonë, janë gjithnjë në favor të nxënësve. Sot po përurojmë sallën sportive të kësaj shkolle, që ka qenë mëse e domosdoshme dhe tashmë ajo është në shërbim të nxënësve dhe aktiviteteve të tyre sportive”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri, duke shtuar se me projekte të tilla po vazhdohet edhe në shkolla të tjera deri në plotësimin e nevojave të shkollave.

Kurse nga ana e tij Bardhyl Syla dhe Bekim Mustafa, konkretisht drejtori i Arsimit dhe drejtori i shkollës, pos falënderimit në adresë të kryetarit Haziri, për mbështetjen e vazhdueshme, kanë thënë se janë të vendosur që të vazhdojnë me punë dhe përkushtim për kushte më të mira në gjimnaz dhe për suksese edhe më të mëdha në nivel të të gjitha shkollave dhe arsimit në përgjithësi.

Ndërsa, Qemajl Ahmeti, vëllai i Xhavitit, nën emocionin e kujtimit për familjarin e tyre, ka thënë që ndjenë krenari kur sheh nga afër suksese në të gjitha fushat pa asnjë dallim, duke uruar njëkohësisht, që kjo shkollë të jetë krenaria e qytetit të Gjilanit dhe Kosovës.

You Might Also Like