Gjilan

Haziri takon zëvendësministrin Zariqi për realizimin e projekteve të mëdha për Gjilanin

Gjilan, 19 janar 2018 – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune zëvendësministrin për Zhvillim Ekonomik, Xhavit Zariqi, me të cilin ka biseduar për projektet e rëndësishme që i ka Komuna me këtë dikaster qeveritar.

“Kemi disa programe që kjo ministri I financon në Gjilan, përfshirë edhe kapërderdhësen e Pendes së Përlepnicës si projekti më madhor, por edhe infrastrukturën që lidhet me zhvillim ekonomik. Në vazhdimësi unë jam duke kërkuar mbështetjen e autoriteteve qeveritare. E falënderoj zëvendësministrin Zariqi për mbështetjen e madhe që ka ofruar për Gjilanin”, ka thënë pas takimit kreu I Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai ka thënë se Zariqin e ka mik të vjetër, qysh nga koha sa kanë qenë ish të burgosur politik.

“Kemi vuajtur të dy në burgun e Gjilanit. Xhaviti ka qenë njëri prej njerëzve që ka rezistuar në kohën më të rëndë. Gjithmonë është kënaqësi kur takohemi”, ka thënë Haziri.

Kurse, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Xhavit Zariqi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm.

“E urova mikun tim të vjetër që prej kohës së burgut, Lutfi Haziri, për rikonfirmimin si kryetar i Gjilanit, i cili ka dëshmuar që është një udhëheqës i përkryer. Diskutuam edhe për çështjen e investimeve që varen nga Qeveria, respektivisht nga MZHE dhe kemi programe të veçanta, të cilat do t’i shfrytëzoj Komuna e Gjilanit në të mire të qytetarëve”, ka deklaruar zëvendësministri Zariqi.

You Might Also Like