Gjilan, 19 janar 2018 / Kuvendi Komunal i Gjilanit, nën kryesimin e anëtarit më të vjetër, Hevzi Xhelili (PDK), ka zgjedhur të premten kryesuesin e ri për të organit vendimmarrës për këtë mandat, Shpresa Kurteshi-Emini (LDK), si dhe ka proceduar me pikat tjera të rendit të ditës.
Për Kurteshin-Eminin, e cila e ka udhëhequr për një kohë të shkurtër Kuvendin Komunal edhe në mandatin e kaluar, tri herë e zgjedhur asambliste, kanë votuar 24 anëtarë të Kuvendit, 7 kanë votuar kundër, 2 kanë abstenuar, ndërsa një fletëvotim ka qenë i pavlefshëm.
Ajo ka qenë kandidate e vetme për këtë pozitë, të cilën e ka ushtruar për një kohë të shkurtër edhe në mandatin e kaluar, meqë subjektet tjera nuk kanë bërë asnjë kundërpropozim.
Kështu, Kuvendin Komunal në Gjilan do ta udhëheq sërish një femër.
Duke u falënderuar për besimin e dhënë, Kurteshi-Emini, e cila është zgjedhur për herë të tretë këshilltare komunale, ka thënë se është e vetëdijshme për përgjegjësitë që ka marrë dhe i ka ftuar të gjitha grupimet politike që të punojnë së bashku në realizimin e interesave të qytetarëve të Gjilanit, e bindur se bashkërisht mund të bëjnë shumë punë të mira.
Në këtë seancë, e dyta në këtë përbërje, Kuvendi ka miratuar edhe nismën e kryetarit të Komunës për ndryshim dhe plotësim të statutit. Kryetari Lutfi Haziri, i cili e ka arsyetuar këtë nismë të tij, ka thënë se ndryshimi dhe plotësimi i statutit të Komunës, është i nevojshëm për të bërë një riorganizim të ekzekutivit si dhe një ri-përshkrim të detyrave të punës për secilin zyrtar komunal, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit.
Përndryshe, Haziri ka thënë se ekzekutivi i Komunës do të jetë në funksion të plotë të zbatimit të ligjit dhe të vendimeve të Kuvendit Komunal, ndërkohë që është shprehur i bindur se Gjilani do të vazhdojë të jetë një Komunë shembull sa i përket bashkëpunimit në çështjet me interes për qytetarët.
Kuvendi ka miratuar edhe vendimin për emërimin e Komisionit statutar dhe akte tjera normative, në përbërje prej shtatë anëtarëve: Arben Mehmeti (LDK), Gani Neziri (PDK), Nevzad Isufi (LVV), Anila Tusha-Kastrati (Nisma), Vjollca Matoshi (AKR), Arta Haziri-Nuhiu (AAK), Milivoje Stojanoviq (minoritetet).
Po ashtu, në këtë seancë, është miratuar edhe vendimi për themelimin e grupit punues për hartimin e planit vjetor të punës të Kuvendit të Komunës për vitin 2018, prej shtatë anëtarësh: Shpresa Kurteshi-Emini (LDK), Arbëresha Kryeziu-Hyseni (LVV),Bujar Nevzati (PDK), Nazim Gagica (AAK), Enver Hajrullahu (Nisma), Vjollca Matoshi (AKR), Kadir Hysein (minoritetet).
Është miratuar edhe vendimin për orarin e mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve, për vitin 2018, ndërkaq vendimi për caktimin e numrit të anëtarëve të Komiteteve, është shtyrë për seancën e ardhshme, për t`iu dhënë kohë shefave të grupeve politike që të merren vesh rreth formulës së përfaqësimit në këto trupa komunale si dhe emrave të kandidatëve që do të propozohen.
Seanca është karakterizuar nga një frymë e qetë dhe bashkëpunuese ndërmjet të gjitha subjekteve politike.
Përndryshe, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka 35 anëtarë që vijnë nga nëntë subjekte politike, përfshirë edhe komunitetet. Faton Bislimi, Bardhyl Syla, Antigona Kqiku, Avdyl Aliu, Fejzulla Berisha, Fitim Guda, Gentrit Murseli, Ramiz Ramadani, Teuta Suliqi, Shpresa Kurteshi, Rina Ahmeti-Kasumi (LDK), Nehat Osmani, Xhelal Hajrullahu, Nevzad Isufi, Arianit Sadiku, Festa Shabani, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Arijeta Rexhepi (LVV), Riza Abdyli, Bujar Nevzati, Hevzi Xhelili, Shefik Surdulli, Erlehta Osmani, Imran Thaqi (PDK), Ibish Ibishi, Nazim Gagica, Arta Nuhiu (AAK), Anila Kastrati, Enver Hajrullahu, Mimoza Kadriu-Qerimi (Nisma), Vjollca Matoshi, Shemsedin Ramushi (AKR), Mefail Junuzi (Vatra), Kadir Hysenin (KDTP), Milivoje Stojanoviq (LS).
—————————————————
Z