Futboll

Për kryetrajnerin Sallah Sherifi që bëri historinë, nuk pati vend në mesin e të shpërblyerve

Vllaznia e Pozharanit, nga komuna e Vitisë është shpërblyer si klubi më i  mirë në këtë komunë. Ekipi pozharanas që garon në Superligën e Kosovës këtë shpërblim e mori për vitin 2017, vit në të cilin ekipi kuq e gjelbër nga Pozharani pas ndeshjes së barazhit, në fitoren historike ndaj Ferizajt u inkuadrua në Superligën e Kosovës në Futboll.

Gjithsesi se ekipi i Vllaznisë e ka merituar një shpërblim e mirënjohje të tillë, por sikur ish- kryetrajnerit të saj, Sallah Sherifi iu hy në hak, ngase ai nuk u gjet në mesin e një mori të shpërblyerve.

Sukseset e Vllaznisë në vitin 2017 I takojnë lojtarëve që derdhën mund e djersë në fushë, i takojnë edhe kryesisë që nuk kurseu mund për angazhim dhe dha mjete të veta e të donatorëve që të arrihet deri te suksesi, por një meritë të pamohueshme e pati edhe shtabi teknik dhe sidomos kryetrajneri Sallah Sherifi, falë strategjisë të të cilit u arrit suksesi historik.

Sallah Sherifi, që kishte marrë ekipin në një moment delikat, ia doli që t’a mobilizojë atë dhe me një seri të shkëlqyeshme të rezultateve, Vllaznia u radhit ndër ekipe që siguruan barazhin dhe pikërisht në këtë ndeshje jetike ishte strategjia e Sherifit që bëri që të fitohet ndeshja historike.

Kur u arrit Superliga, gjërat ndodhën ndryshe dhe Vllaznia e Sherifi ndanë rrugët, por shtrohet pyetja se si atyre që udhëheqin sportin, apo edhe vendosin për më të mirët, nuk u shkoi ndërmend që në mesin e të shpërblyerve të jetë edhe Sallah Sherifi, kontributi i  të cilit është i pamohueshëm.

Sallah Sherifi, një punëtor i palodhshëm, njeri që e do futbollin dhe jeton për të, me dhjeta e herë e ka dëshmuar se në momentet me të vështira ka guximin që të drejtojë ekipin, këtë e pati dëshmuar edhe me Gjilanin e dëshmoi edhe me Vllazninë e Pozharanit e do t’a dëshmojë edhe me Vitinë që e udhëheq tani, andaj për të është dashur që të ketë vend në mesin e laureatëve, ngase Sherifi e ka merituar një gjë të tillë dhe që askujt të mos i hyhet në hak për punën që e ka bërë.

Duke qenë sportist i vërtetë, Sherifi gjithnjë secilin vendim e ka pranuar me urti edhe atëherë kur ato nuk ishin në favor të tij, por konsiderojmë se kësaj radhe atij iu hy në hak, ngase se e meritoi apo jo që të jetë në mesin e të shpërblyerve më së miri e dijnë adhuruesit e Vllaznisë së Pozharanit dhe vetëm duhet kthyer kujtesën historike parë një gjysmësezoni, kur çdo pozharanas, vitias dhe anamoravas është ndier krenarë me suksesin e Vllaznisë.

You Might Also Like