ARSIMI

Mbahet punëtori mbi të drejtat pronësore

Programi i USAID-it për të Drejtat Pronësore në Kosovë (PRP)dhe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan , kanë organizuar punëtorinë njëditore me temën: “Fuqizimi i qytetarëve: Adresimi i sfidave në të drejtat pronësore”.

Qëllimi i kësaj punëtorie është që t’u ofrojë studentëve të drejtësisë dhe të shkencave sociale mësim mbi sfidat praktike, ligjore dhe politike me të cilat ballafaqohet Kosova në sektorin e pronës dhe masat dhe reformat e propozuara në Strategjinë Kombëtare për të Drejtat Pronësore për t’i adresuar më pas këto sfida.

Fjalën e hapjes së punëtorisë e ka mbajtur Brian Kemple, Drejtor,Programi i USAID për të drejtat pronësore (PRP).

Në fjalën e rastit Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan , Bajram Kosumi , pasi ka përshëndetur të pranishmit, fjalën e tij e ka nisur duke e falënderuar Qeverinë e Kosovës, respektivisht Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, për kontributin e tyre që kanë dhënë për ndarjen e parcelës për ndërtimin e kampusit universitar. Rektori ka thënë se gjatë këtij viti UKZ do të punojë për të bërë projektin ideor të kampusit. Ai duke u ndërlidhur me temën e punëtorisë, ka thënë se prona kurrë nuk ka qenë e mjaftueshme, për shkak të numrit të madh të popullsisë. Njëherësh rektori Kosumi ka thënë se ligji për pronën është i mirë por, në praktikë nuk funksionon si duhet për shkak të traditës së vendit tonë.

Kurse Abelard Tahiri, Ministër i Drejtësisë tha se e drejta për të poseduar pronë është e drejtë Kushtetuese, dhe si e tillë kontribuon në zhvillimin social dhe ekonomik të shoqërive në mbarë botën, e poashtu edhe në Kosovë.

Ministri Tahiri tha se sistemi i të drejtave pronësore në Kosovë rregullohet me ligje të ndryshme, sipas fushëveprimit të qështjeve specifike. Por, institucionet tona shtetërore kanë avancuar mëtutje këtë fushë duke e kurorëzuar me një dokument strategjik siq është Strategjia Kombëtare për të Drejtat Pronësore, e cila adreson të gjitha qështjet që ndërlidhen me këtë sektor, kështu duke u bërë udhërrëfyese për avancimin e mëtutjeshëm të politikave që rregullojnë të drejtat pronësore në Kosovë. Kjo strategji është miratuar vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës dhe është hartuar me përkrahje të ngushtë të partnerit tonë USAID, përmes Programit për të Drejtat Pronësorë, tha pos tjerash Ministri i Drejtesisë në Kosovë.

Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm nëse nuk sigurojmë qarkullim të lehtë dhe të lirë të pronësisë, dhe siguri e qasje të lirë në pronësi. Kjo mund të bëhet vetëm nëse pronësia dihet sakt e kujt është dhe si është përfituar dhe se titullari ka mundësi ligjore dhe praktike të disponoj me pronën dhe ta vëjë atë në qarkullim juridik.

Punëtoria ka pasur leksione interaktive në pesë fushat e Strategjisë Kombëtare, sin ë Kuadrin ligjor, Informaliteti në sektorin e pronave, të drejtat pronësore të grave, t ë drejtat pronësore të komuniteteve jo-shumicë dhe përdorimi produktiv i tokës për zhvillim më të madh ekonomik.

Rreth kuadrit Ligjor që rregullon të drejtat pronësore në Kosovë ka folur Xhevat Azemi, Specialist për zhvillimin e politikave, PRP.

Sa i përket informaliteti në sektorin e pronave në Kosovë, ka folur Gent Salihu, Këshilltar i lartë për sundim të ligjit dhe qeverisjes, PRP , dhe për të drejtat pronësore të grave dhe përdorimi i tokës për zhvillim më të madh ekonomik, ka folur Merita Limani, Specialiste për çështje gjinore dhe të drejta pronësore, PRP.

Në fund të punëtorisë pati diskutime nga pjesëmarrësit që ishin kryesisht student të Programit Master, “Qeverisja Lokale dhe Shoqëria Demokratike”, program i përbashkët i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Universitetit“Haxhi Zeka” në Pejë, studentët e Masterit E-Qeverisja dhe studentët e vitit të 4 të Fakultetit Juridik nga Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, të cilët po ashtu kanë marrë nga një certifikatë të pjesëmarrjes duke demonstruar përfundimin e suksesshëm të programit.

You Might Also Like