Gjilan, 13 mars 2018/ Komuna e Gjilanit ka finalizuar procedurën paraprake për ndryshimin dhe plotësimin e statutit, si nevojë për riorganizimin e qeverisjes, ku parashihet rritja e numrit të drejtorëve si dhe komiteteve. Arben Mehmeti, kryetar i komisionit për ndryshime statutare dhe akte tjera normative, ka thënë se komisioni e ka përfunduar punën sa i përket ndryshimit të statutit të Komunës, ku janë bërë disa plotësime dhe ndryshime në dokumentin aktual sa i përket përmbajtjes dhe po ashtu janë bërë disa përmirësime gjuhësore dhe terminologjike, si dhe qartësime të definicioneve të caktuara, pastaj saktësimi i disa termeve të natyrës alternative, duke ju dhënë një formë të natyrës obligative në fushëveprimin institucional.
Komisioni, duke marrë për bazë edhe kërkesat e qytetarëve, kërkesat e grupeve të caktuara të interesit, shoqërisë civile dhe grupimeve tjera, gjatë diskutimit publik, duke pasur në fokus kryesor interesin qytetar në qeverisjen lokale, ka rekomanduar për Kuvend Komunal ndryshimet në statut edhe sa i përket bordit të drejtorëve, zyrave të kryetarit dhe komiteteve.
Komisioni, me konsensus të plotë ka vendos që të rekomandojë themelimin e disa drejtorive të reja, si nevojë për fuqizim e ristrukturim në përputhje me zhvillimet aktuale sa i përket legjislacionit në fuqi dhe profilizimit të shërbimeve në raport me qytetarët dhe institucione tjera.
Kësisoj komisioni ka propozuar themelimin e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Drejtorisë së Inspekcionit.
Ndërsa për arsye të profilizimit dhe shërbimeve më efikase në raport me qytetarët, është propozuar që Drejtoria për shëndetësi dhe mirëqenie sociale të ndahet në Drejtori për Shëndetësi Primare dhe Drejtori për Çështje Sociale dhe banim social.
Po ashtu, si rezultat i nevojës për një përkushtim më serioz në lidhje me disa shërbime më specifike, është arritur pajtimi që të krijohet edhe një drejtori e re – Drejtoria për Mbrojtje të Mjedisit, ka thënë Mehmeti.
Me qëllim të fuqizimit të rolit të avokaturës komunale, si nevojë e domosdoshme për të qenë në hap me kohën sa i përket shërbimeve, përgjegjësive dhe zhvillimeve të reja në fushën e infrastrukturës ligjore të kësaj fushe, komisioni është dakorduar që të krijohet Zyra e Avokatit të Komunës së Gjilanit.
Njëherësh, është ndryshuar emërtimi Departamentit të Prokurimit, i cili do të quhet Zyrë e Prokurimit.
Ndërkaq, me krijimin e drejtorive të reja, do të shuhet Zyra për Kulturë, Rini e Sport.
Po ashtu, në kuadër të këtyre ndryshimeve, është rekomanduar krijimi i Komiteteve të reja, si kërkesë e grupeve të caktuara organizimeve të njerëzve si dhe krahas themelimit të drejtorive, edhe atë: Komiteti konsultativ për persona me aftësi të kufizuar, Komiteti për shëndetësi primare, Komiteti për çështje sociale dhe banim social si dhe Komiteti për mbrojtje të mjedisit.
Mehmeti ka thënë se të gjitha këto ndryshime janë bërë me konsensus të plotë të të gjithë anëtarëve të komisionit që kanë qenë të pranishëm, përveç përfaqësuesit të komunitetit serb, i cili ka munguar në mbledhjen e fundit të komisionit, kur janë bërë ndryshimet sa i përket strukturës organizative të Komunës.
Komisioni ka qenë i përbërë nga anëtarë të LDK, LVV, PDK, AAK, NISMA, AKR dhe minoriteti serb.