Klubi i Volejbollit Drita nga Gjilani është shpallë kampione pas fitores së madhe që ka shënuar ndaj Skenderajt, por ekipit gjilanas i ka ndodhur diç jo e zakontë, ngase ka ngelur pa topa.
Adhuruesit e KV Drita kanë marrë topat e lojës, duke menduar se ata janë dhuratë për shikues.
Lorik Ilazi, kryetrajner i Dritës, ka thënë se ekipi i tij i është mirënjohës shikuesve për mbështetjen e dhënë, jo vetëm në këtë ndeshje, por gjithherë dhe se falë shikuesve është arritur të shkruarit e historisë sa i përket shikueshmërisë në volejboll, por që sipas tij pas ndeshjes ka ndodhur një keqkuptim, ngase shikuesit kanë marrë topat, të cilët janë shumë të nevojshëm për ekipin.
Ilazi ka sqaruar se topat e lojës duhet të kthehen dhe në vend të tyre të merren topat me nënshkrime nga të gjitha vajzat kampione, ngase topa të tjerë kanë qenë të paraparë për dhurata.
Sipas Ilazit, KV Drita duhet të stërvitet edhe më tej, ngase tashti pritet ndeshja e Superkupës, e cila do të zhvillohet në javën e ardhshme.
Pas ndeshjes janë parë topa volejbolli derisa janë hudhur në drejtim të shikuesve, të cilët më pas kanë menduar se gjithë topat ishin për ta, por doli të ketë pasur keqkuptime në këtë drejtim, andaj tashti po kërkohet që topat të kthehen.