Klubi i Hendbollit Drita nga Gjilani po i rikthehet lavdisë së dikurshme. Sivjet ekipi gjilanas pati një paraqitje shumë të mirë, kurse në stinorin që pritet të fillojë mëton rezultate edhe më të mëdha.
Për fillim, KH Drita ka bërë ndryshime cilësore në kryesinë e klubit, kurse Luan Sllamniku, që është ndër më meritorët për sukseset e fundit të Dritës, thekson se këtë vjeshtë ekipin do t’a udhëheq kryetrajneri Erhan Shahini, i cili është kthyer në bankinën e KH Drita.
Kjo nuk është e vetmja risi në klubin gjilanas, ngase KH Drita ka bërë dy transfere nga ekipi i Trepçës së Mitrovicës, dy nga Kosova e Vushtrrisë dhe një nga ekipi i Prishtinës, kurse ekipi është në bisedime edhe me një lojtar tjetër të Prishtinës, duke synuar që sivjet ekipi të luftojë për titullin e kampionit.