LAJME

Lutfi Haziri me 80 shërbyes civil pozon para bibliotekës së qytetit si simbolikë e 80-vjetorit të fotos së parë

Gjilan, 31 gusht 2018 – Në shënim të 80-vjetorit të realizimit të fotos së parë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka vizituar bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” dhe në shenjë simbolike ka realizuar një fotografi të përbashkët me 80 shërbyes civil të Komunës.

Kryetari Haziri theksoi se gjenerata të tëra janë edukuar me librat e kësaj bibliotekë, duke dalë profile të ndryshme akademike e shkencore.

Ai paralajmëroi se deri më 19 shtator kur edhe zyrtarisht bëhen 80 vite nga themelimi i kësaj biblioteke, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga ana e Komunës së Gjilanit.

“Është shumë i rëndësishëm fakti se nga menaxhmenti mora lajmin se janë në fazën e fundit të grumbullimit të materialit dhe ne do të fillojmë më vonë me projektin online, e-biblioteka, i cili do të jetë një databazë e madhe e shënimeve dhe një mundësi e madhe për lexuesit”, ka thënë Haziri.

Drejtori i bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli”, Qazim Azizi, e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe mbështetjen e madhe që i ka ofruar këtij institucioni në vazhdimësi, duke njoftuar se tash për tash kjo bibliotekë posedon 90 mijë libra, që së bashku me gazetat dhe materialet tjera bibliotekare arrin në 130 mijë ekzemplarë.

“Për tetë muaj që prej hapjes zyrtare të objektit të ri, janë 3588 anëtarë të rregullt të bibliotekës, mbi 19 mijë libra të lexuara, ndërsa lexues në baza ditore mbi 300. Për tetë muaj kemi dalë mbi mesataren e zakonshme shkaku i kushteve europiane që i posedon ky objekt, ndërsa mbi 61 mijë vizitorë që prej hapjes e kanë vizituar bibliotekën”, ka njoftuar ai.

You Might Also Like