I lindur në Kosovë, Liridon Rashiti pati fatin e shumë fëmijëve kosovarë që në kohë lufte të lë vendlindjen. Familja e tij, nën flakët e luftës lëshoi vendlindjen dhe valët e jetës e dërguan familjen Rashiti në Kanada.
Liridoni që në fëmijëri kishte një dashuri të madhe për filmin dhe i nisi hapat e parë, për të qenë protagonist në shumë seriale e filma të atjeshëm, më pas filmat në të cilët aktroi ai ishin të kandiduar edhe në Festivalin e Cannes në Francë, kurse së fundi, Liridon Rashti është pjesë e një seriali që ka nisur në Kanada, në të cilin ai do të paraqitet me aktorët më të njohur të këtij vendi.
Këtë shtator, Liridon Rashiti po qëndron në vendlindje dhe ai ka shpalosur projektin më të ri në të cilin pjesëmarrës është ai.
Siç thekson ai këto ditë do të nis seriali “Blue moon” në të cilin aktori me prejardhje nga Kosova luan rolin e Janisit, që është një personazh që vije nga Algjeria që në Kanada vije bashkë me të dashurën e tij, me qëllim hakmarrjeje për një ngjarje më të hershme. Krimi, terrorizmi, dashuria, dëshira për hakmarrje dhe elemente të tjera karakterizojnë këtë film, në të cilin ka shumë aksion, në të cilin përdoren edhe armët, kurse aktorët që luajnë në këtë film janë shumë të famshëm në Kanada e në të cilin aktori kosovar në shumë skena paraqitet me ta siç janë Caroline Dhavernas e Karine Vanasse që janë shumë aktore të njohura në Kvebek të Kanadasë, por edhe në Los Angeles e Hollywood dhe në këtë serial secili episod zgjat një orë dhe që nga data 12 shtator nis të shfaqet në Televizion në Montreal të Kanadasë.
Personazhi i Janis, të cilin e luan Liridon Rashiti, në pamje të parë duket një personazh me rol negativ, por ai në zemër është i butë, ai duhet të vë në jetë një urdhër, që ka marrë nga miku i tij algjerian dhe ai duhet t’i zbatojë ato, por në fund ky personazh del faqebardhë, ai është një personazh pozitiv.
Deri tash, Liridon Rashiti ka mbi 60 role nëpër filma, seriale e filma të metrazhit të shkurtër, në rreth 20 prej tyre ka rol kryesor. Nga filmat që ai ka luajtur më të njohur është filmi “Nous avions”, pastaj “Avec Jeff a moto”, që kanë qenë film të nominuar në Festivalin e Cannes, pastaj filmi “ Les Mafiozoo” film me temë nga vitet e shtatëdhjeta, me vetura e gardërobë të asaj kohe, por Liridoni beson se nga të gjithë këta filma “Blue moon” do të ketë shikueshmërinë më të madhe në Kanada dhe do të jetë ndër më të popullarizuarit, ngase në të aktorët janë shumë të famshëm.
Liridoni e don edhe regjinë dhe skenarët. Ai është autor i shumë skenarëve, kurse regjia i jep jetë projektit që e ka shkruar. Ai është sprovuar edhe në rolin e skenaristit dhe të regjisorit.
Liridon Rashiti me vëmendje i përcjell edhe zhvillimet në kinematografinë kosovare dhe atë shqiptare dhe ai me shumë dëshirë do të dëshironte të luante në një film shqiptar po t’i jepej mundësia, por gjithnjë duke patur parasysh një rol që do t’i përshtatej atij, ngase siq thekson edhe vetë Liridoni, ai kurrë nuk harron vendlindjen dhe vendin e të parëve të tij.