LAJME

Në periudhën janar-shtator janë riatdhesuar 19 persona ose familje

Gjilan, 16 tetor 2018 / Gjilani njihet si komunë e qetë sa i përket sigurisë dhe raporteve me komunitetet. Ky vlerësim është dhënë të martën, në një takim të Komitetit për Komunitete, ku është shqyrtuar dhe miratuar raporti i punës i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, për periudhën janar-shtator 2018.

Kemal Shahin, kryesues i kësaj trupe komunale, ka thënë se kjo zyrë është në shërbim të komuniteteve, për t`i ndihmuar ata në realizimin e kërkesave të ndryshme që mund të kenë, veçmas të kthyerit, të cilët duhet të paraqiten në këtë adresë, nëse kanë nevojë për asistencë.

Përndryshe, Shahin ka thënë se procesi i kthimit dhe ri-integrimit, ri-integrimi i personave të riatdhesuar si dhe çështjet e ndryshme të komuniteteve, trajtohen gjerësisht në raportin e Zyrës për Komunitete dhe Kthim, të cilin e ka prezantuar zyrtari Ruzhdi Rashiti.

Rashiti, ndër të tjera ka thënë se gjatë periudhës janar-shtator 2018, nga vendet e treta janë riatdhesuar 19 familje ose persona, shumica e tyre në mënyrë të detyrueshme. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ky numër të jetë më i madh, duke sqaruar se këtu bëhet fjalë vetëm për të kthyerit përmes aeroportit të Prishtinës, ndërsa dihet se ka edhe rrugë të tjera, përmes të cilave kthehen këta persona.

Në Zyrën për Komunitete dhe kthim, sipas Rashitit, janë paraqitur 128 persona ose familje të riatdhesuara, me kërkesa për ndihmë në rregullimin e dokumenteve të ndryshme, për regjistrim në sistemin elektronik, për mbështetje në punësim apo vetëpunësim si dhe nevoja të tjera.

Sa i përket gjendjes së sigurisë, Sadete Sadiku, rreshter e Policisë së Kosovës, ka thënë se Gjilani është një komunë e qetë dhe e mirë, duke nënvizuar faktin se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur asnjë incident ndëretnik.

“Në takimet tona me qytetarë, nuk kemi pasur asnjë ankesë sa i përket sigurisë dhe kjo tregon se gjendja në këtë aspekt është shumë e mirë”, ka thënë Sadiku.

You Might Also Like