Futboll

Drita pret Ballkanin, Gjilani luan në Podujevë

Pas një pushimi disaditësh për shkak të lojërave të përfaqësueses së Kosovës ndaj Maltës dhe Ishujve Faroe, topi sërish do të rrokulliset në Superligën e Kosovës në Futboll. Dy ekipet gjilanase, këtë të mërkurë do t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre. Drita, që në xhiron e fundit shënoi fitore si mysafire ndaj Drenicës me rezultat 2:1, mëton që suksesin t’a vazhdojë edhe ndaj Ballkanit në fushë të vet, duke shfrytëzuar formën në ngritje të vetën dhe atë në rënie të ekipit kundërshtar. Në FC Drita besojnë se koha e formës së luhatshme ka kaluar dhe se tashti në radhë janë fitoret.

Gjilani që mirë e nisi kampionatin, në xhiron e fundit u mposht në fushë të vet nga Liria dhe pushimi ishte i mirëseardhur për ekipin e Sadat Pajazitit. Ekipi kuq e bardh do të ketë punë të vështirë ndaj LLapit në Podujevë, ekyp ky që kërkon këndellje pas dy humbjeve radhazi. Në ekipin llapjan kanë ndodhur edhe ndryshime në shtabin teknik, prej ku është larguar Bylbyl Sokoli.

Të dy ndeshjet zhvillohen këtë të mërkurë me fillim në ora 14 e 45 minuta.

You Might Also Like