ARSIMI

Bunjaku – Rexhepi: Ja disa propozime tonat për punëtorët e arsimit shqip gjatë viteve të 90-ta

Valentina Bunjaku – Rexhepi, Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji…

PROPOZIM-NDRYSHIMET E PROJEKTLIGJIT PËR STATUSIN E PUNËTORËVE TË ARSIMIT SHQIP TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NGA VITI SHKOLLOR 1990/91 DERI NË VITIN 1998/99

Pas propozim-ndryshimeve nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK), të dërguara edhe në email-adresat e anëtarëve të Komisionit përkatës parlamentar, ne kemi shqyrtuar me vëmendje ato dhe në përgjithësi, shumicën e tyre i mbështesim dhe disa prej tyre po ashtu i heqim, i riformulojmë apo edhe i ndryshojmë. Më poshtë, do të jenë disa nga propozimet tona konkrete për ndryshimet e Projektligjit për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin 1998/99:

* Ne propozojmë që edhe emërtimi i vetë projektligjit të ndryshohet si në vijim: “Projektligji për Pensionin Meritor të Arsimit Shqip në Kosovë gjatë periudhës 1990-1999”;

* Fshirjen e jo mbetjen e paragrafit 1.2, por mbetjen e paragrafit 1.3 të nenit 2, ashtu siç e propozon SBASHK-u. Tek e para, kërkohet të përfshihen në beneficione edhe: “1.2. Të punësuarit në sekretariate – këshilla komunale të arsimit, këshilla komunale të financimit, Këshillin Qendror të Financimit, ente ndërkomunale pedagogjike, në Entin Republikan Pedagogjik, në Entin për Botimin e Teksteve dhe të Mjeteve Mësimore dhe në Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës, punëtorëve shkencor dhe të punësuarve tjerë në Institutin e Historisë, Institutin Albanologjik dhe Akademinë e Shkencave.” Te neni 2, paragrafi 1.3, kërkohet të përfshihen pronarët e shtëpive shkolla. Pronarët e shtëpive shkolla janë kategoria më e veçantë e mbajtjes dhe kontributit të arsimit shqip. Ky projektligj për arsimin shqip të viteve të ’90-ta, ka kuptim sidomos duke e përfshirë këtë kategori të kontributdhënësve: pronarët e shtëpive shkolla. Ndërsa paragrafi 2 i këtij neni të propozuar nga SBASHK-u, të ndryshon gjuhësisht: “2. Perfituesit e këtyre pensioneve nuk mund të përfitojnë nga skemave të tjera pensionale”, duke ndryshuar në: “Përfituesit e këtyre pensioneve nuk mund të përfitojnë nga skemat e tjera pensionale.” Paragrafi 3 i propozuar nga Qeveria nuk ka fare nevojë të shtohet.

* Propozimi tjetër nga SBASHK-u: “Të gjitha përkufizimet të mbeten ashtu sië janë sepse s’kanë asnjë implikim në ligj po vetëm e tregojnë domethënien”, me përjashtim të ndonjë emri të institucioneve si: Instituti i Historisë, Instituti Albanologjik, duhet të mbeten ashtu siç kanë qenë më parë.

* Amendamenti 12, neni 4, le të rikthehet sikur ka qenë në versionin e mëhershëm, por me këtë riformulim: “Nga ky ligj mund të përfitojnë vetëm personat, statusi i të cilëve dhe të cilave njihet nga Komisioni.”

* Propozimi i SBASHK-ut po ashtu të merret në konsideratë, ku kërkohet te neni 3, të shtohet paragrafi 27 me këtë përmbajtje: “27. Pension Meritor- pensioni që ka fituar statusin e personit meritor nga komisioni përkatës duke llogaritur shumën e pensionit sipas ligjit mbi skemat pensionale të financuar nga shteti dhe shtesën sipas nenit 7 të këtij ligji.”

* Propozimi i SBASHK-ut, neni 5 – Njohja e përvojës së punës, duhet të mbetet në projektligj, pasi synimi është që mësimdhënësit e asaj periudhe të mos ngelin me një pension të zakonshëm e minimal, që nuk arrin as 100 euro. Përndryshe, s’ka kuptim të bëhet fare ky ligj, nëse nuk ia përmirëson shumën e pensionit meritor kësaj kategorie.

* Neni 6, ashtu siç e ka propozuar SBASHK-ut, duhet të mbetet në projektligj, por të shtohet edhe një paragraf, 1.7, ku përfshihen edhe pronarët e shtëpive shkolla.

* Te neni 7, pajtohemi me SBASHK-un, që të mbesin në projektligj kategoritë e përfituesve për pensionin e merituar, e jo për kompensimin shtesë.

* Propozimi për nenin 10 nga SBASHK-u, si në vijim, vetëm duhet të pësojë ca ndryshime: “Neni 10 – Parashtrimi i kërkesës për realizimin e të drejtës në pension dhe në të drejta dhe beneficione

1. MASHT me akt nënligjor përcakton kushtet dhe kriteret për realizimin e të drejtës në pension dhe në të drejta në beneficion.

2. MASHT themelon komisionin për administrimin e procesit të pranimit dhe shqyrtimit të Aplikacioneve për realizimin e të drejtave të kësaj ligje.

3. Komisioni përbëhet nga nëntë anëtarë të emëruar nga ministri të propozuar nga institucionet në vijim:

3.1. MAShT (3)

3.2. MF (1)

3.3. MPMS (1)

3.4. Rektorati (1)

3.5. SBSHK (1)

3.6. DKA (2 )

4. MASHT me akt nënligjor përcakton mandatin, detyrat dhe përgjegjësit të këtij komisioni dhe përcakton departamentit përgjegjës për mbledhjen dhe ruajtjen e të dhënave.” Këto ndryshime të vogla, duhet të jenë në paragrafin 3, si në vijim: “Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë të emëruar nga ministri, të propozuar nga institucionet në vijim:

3.1. MASHT (1)

3.2. MF (1)

3.3. MPMS (1)

3.4. Rektorati (1)

3.5. SBASHK (1).” Arsyeja është që të mos stërngarkohet komisioni dhe të rriten shpenzimet e buxhetit të varfër kosovar.

* Neni i fundit dhe i ri, i propozuar nga SBASHK-u për procedurën e publikimit të listave, njoftimin e komunave dhe gjëra të ngjashme, duhet po ashtu të mbështetet dhe të futet në projektligj.

 

 

You Might Also Like