IRENA GJONI
MA LËR HAPUR PORTËN E ËNDRRËS
( Cikël poezish )
FYTYRËN TËNDE KA PYLLI
Në këtë mëngjes therës,
një pjesë të kujtimeve
i le në orët që tashmë janë të lashta.
Po ndiej shiun poshtë një çadre ngjyrë ajri
që flokët m’i përkëdhel e m’i mpleks lagësht.
Tingulli i tij, si i endur me shpirtrat e muzave,
më çon nga këlthitjet e pulëbardhave,
drejt një pylli që ka fytyrën tënde,
buzëqeshjen tënde,
aromën tënde të panjohur,
që më sjell imazhin e një ëndrre të pafund…
Arratisen në krahët e erës…
e bashkë rrugëtojnë
zëri i detit me zërin e shiut mbi pyll e shpirtra…
BUZËQESHJA, ËNDRRA QË SOLLI JEHONËN TËNDE
Buzëqeshja është ëndrra që solli jehonën tënde,
Ngjizjen e dritës në kundërmim universesh,
ku Unë lexoj ajrin e Ti lexon në ajër.
Rrëmojmë në ritualin mistik të Mallit të Kaltër,
në fshehtësinë e thellësive të përjetshme,
ku nën drita të verbërta, çorienton meridianët.
Frymëmarrjet, me Postën e Zotave postohen netëve.
Sa më errët shkojnë, aq më tepër ka përndritje
tek e qara e parë si kënga e sekreteve.
Udhëtojnë në kohë të tjera, në jehona ëndrrash.
Bekojnë me mister një përkëdhelje flokësh,
të dehur në një përqafim në tehun e muzgut
DITË SHPIRTI
Ti erdhe tek unë…
Tingulli i shpirtit, galaktikën e mat
me sekondat për të qenë afër meje.
Në mungesë të zërit, shpërthen meteorë
që nga përplasjet e copëtimit të dritës,
të artikulojë kumtin.
Rrokulliset humnerave të ajrit,
Përleshet me thepat thikë të mungesave
që të bëjë zë.
Nga dhimbja ulëret kobshëm pa vaj.
Kumti ka ngelur hije e tingullit
e nuk e largon dot kukuvajkën mbi kokën time,
as korbin e shpirtëzuar në flokë e në zemër.
As krizantemën e lulëzuar në katër stinë
brenda gjëmës së shpirtit tim.
Loton me lotët e erës
e se tret as dheu, se lartëson as qielli,
s’e preh as ferr e parajsë
pa kumtuar kumtin për mua.
I duhej një ëndërr me konture njeriu,
pikërisht ti ëndrra ime, pa ditur si e pse.
që nuk pyet:
çfarë gjuhësh flet i ikuri me të gjallin?
çfarë kodesh përdorin për të çkoduar njëri – tjetrin?
çfarë kutesh përdor për të të përzgjedhur profet kumtesh?
Vjen ti tek unë, si flamur triumfi i një kumti
me një buzëqeshje hyjnore që ta dua.
Që projekton në flatra distancash,
një ditë shpirti enkas për mua,
ushqyer që në amë me polen natë muzash
e më rrëfen e më rrëfen një histori pa mbarim…
Lulnajat e gjithë pranverave m’i sjell në një buzagaz
Me fustanin e tangove spanjolle,
lidh fillin e këputur mes dy jetëve mes dy yjeve.
Në vend të kukuvajkës e korbit, me frymën tënde
bën që mes flokëve të mi të marr jetë një margaritë.
Dhe përmes një përqafimi shpirti,
ti ma lër hapur portën e ëndrrës së të nesërmes…
HESHTJET
Tani heshtjet,
kanë filluar
të më shkojnë edhe mua.
Si maja shtizash,
pa ngatërruar asnjë thilé,
thurin mantelin e pritjes.
Pastaj më bëhen ëndërr,
e mjegullt dhe e legjendtë,
Ëndërr ku fle Dielli…
…Si ti…
…Si lëkurë…
…Si prekje…
…Si lëng shege…
…Si adhurim gjaku…
…Si imazh fjale,
që rri bukur
mbi poltronin e lëkurës tënde…
që ta dua…
Tani heshtjet,
kanë filluar
të më shkojnë edhe mua…
IKANAKE
Në një guvë shkëmbi,
bëj gjumin letargjik të verës.
Ikanake për të shëruar rrudhat e gjakosura,
ku Asklepi
përdor skelete gjethnajash ulliri shekullor.
Në një guvë shkëmbi,
lehonë e virgjër
vizatoj rrudhën e dikurshme.
Hartën e dhembjes vizatoj
në trajtë zemre.
E ajo e sotmja përpëlitet në fajin
e konturimit të një ngurtësimi,
i aftë të ndërrojë vetëm format e vajgjakut,
pa gjetur shpëtim
as nga skelete gjethnajash ulliri shekullor…
AH-ET E HINGËLLIMAVE…
Një shtampë e krisur
nga rrufeja e stuhisë së Zeusit,
fishkëllimshëm pikon
prej plasaritjeve të saj,
ah-et e hingëllimave
të kuajve të dashurisë
të mbetura pa zot.
Pi prej shtampës së krisur ah-et
dhe e rimbush përsëri
me korale dhimbjesh
për të zënë plasaritjet…
ISHUJT KURRË NUK FLASIN PËR DHIMBJEN E UJIT
Ishujt kurrë nuk flasin
për dhimbjen e ujit.
As për sekretet
e thellësive të tyre,
dhe pse dalin në sipërfaqe,
në fijëza leshterikësh pa gojë
të nxirë nga pakohësia.
Nderen ta thajnë dhimbjen
në zemrën e frikësuar
të çdo kallamishteje Siringë
me rrënjën në shkëmbinjtë ishullorë
rrahur nga dallga e kripur
si ndëshkim për heshtjen,
gati për t’u bërë çdonjëra
vetëm fyell Pani…